Kalaja Rozafës, vijojnë punimet, përfundon restaurimi i fasadës së muzeut të kështjellës

Turizëm | 8 minuta më parë

Kalaja e Rozafës, një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë historike dhe kulturore në vend, po i nënshtrohet një procesi ndërhyrjesh restauruese dhe përmirësimi të infrastrukturës. Punimet, të cilat kanë nisur rreth dy muaj më parë, përfshijnë jo vetëm hapësirat e jashtme, por edhe ambientet dhe objektet brenda kalasë. Deri më tani ka përfunduar restaurimi i fasadës së Muzeut të Kështjellës, ndërsa aktualisht ndërhyrjet janë përqendruar në restaurimin e kalldrëmeve në një prej oborreve të brendshme të monumentit.

“Për momentin vazhdojmë me kalldrëmet e oborrit të tretë. Ka përfunduar fasada e muzeut në pjesën e oborrit të katërt dhe në atë të oborrit të tretë. Po punojmë me fugatimin dhe konsolidimin e mureve, si dhe me restaurimin dhe plotësimin e kalldrëmit me gurë”, u shpreh Denis Vasa, Drejtuesi i punimeve.

Gjatë ndërhyrjeve restauruese në muret rrethuese dhe objektet e kalasë rëndësi e veçantë po i kushtohet ruajtjes së autenticitetit, përmes përdorimit të teknikave.

“Duhet të kemi kujdes që të ruajmë strukturën e vjetër dhe materialin origjinal, ashtu siç ka qenë. Gjithçka është në rregull”, tha Lulash Plavnyshaj, Mjeshtër i punimeve restauruese.

Projekti për rijetëzimin e Kalasë së Rozafës, që zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, synon përmirësimin e disa aspekteve thelbësore të këtij siti me rëndësi të veçantë historike dhe turistike. Krahas restaurimit të strukturave dhe ambienteve të brendshme, ndërhyrjet përfshijnë edhe hapësira për parkimin e automjeteve në pjesën poshtë kalasë, si dhe sistemin e sinjalistikës orientuese.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme