Kandidati republikan i rikthehet fushatës, Trump: Vetëm presidentëve të rëndësishëm u bëhet atentat

Botë | 2 vite më parë

“Vetëm presidentëve të rëndësishëm u bëhet atentat.” Kështu u shpreh kandidati republikan për president Donald Trump ndërsa iu rikthye fushatës elektorale pas tentativës së dytë të dështuar për vrasjen e tij në klubin e golfit në Florida.

Gjatë një tubimi para mbështetësve të tij në Miçigan, Trump u mundua të lidhë atë që FBI e cilësoi si përpjekje të dështuar për vrasjen e tij të dielën,  me premtimin  për të vendosur tarifa të larta ndaj importit të automjeteve nga Meksika dhe Kina. “Dhe pastaj habiteni pse më qëllojnë me armë, apo jo? E dini, vetëm presidentëve të rëndësishëm u bëhet atentat” – u tha ai mbështetësve të tij në Flint.

Trump vlerësoi presidentin Biden dhe rivalen e tij demokrate Kamala Harris, që e telefonuan pas ngjarjes. Por u shpreh se autori i dyshuar që u përpoq ta vriste ishte ndjekës i retorikës së tyre, që e quajnë Trumpin një rrezik për demokracinë amerikane.

Rivalja demokrate, e cila vijoi fushatën në Pensilvani, tha se e  kontaktoi ish-presidentin pas tentativës për atentat ndaj tij. “Doja të dija nëse ishte mirë dhe i thashë atë që e kam shprehur edhe publikisht. Nuk ka vend për dhunë politike në vendin tonë”, tha Harris.

Tubimi i Trumpit në Miçigan dhe ai i Harris në Pensilvani vijnë pasi që të dy kandidatët po fokusohen në shumë shtete të lëkundura, që janë kritike për të fituar në zgjedhjet e 5 nëntorit. Ndërkohë, një sondazh i ri tregon se demokratja ka një avantazh të lehtë ndaj republikanit . Zv.presidentja 59-vjeçare  mbështetet nga 49% e të anketuarve, ndërsa rivali i saj 78-vjeçar nga 46 % e tyre.

/RTSH/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme