Kanioni i Holtës në Gramsh, një vend ku natyra flet, frymëzon dhe thërret për kujdes

Aktualitet | 1 vit më parë

Kanioni i Holtës mbetet një ndër pikat më të frekuentuara të bashkisë së Gramshit gjatë sezonit veror, duke mirëpritur vitin e shkuar mbi 100 mijë turistë vendas e të huaj.

I ndodhur vetëm 13 kilometra nga qyteti i Gramshit, rreth 3 kilometra i gjatë dhe me një thellësi që shkon deri në 150 metra, ky formacion gjeologjik është krijuar përmes mijëra vitesh erozioni nga lumi i Holtës, që rrjedh i qetë përmes këtij monumenti natyror.

Kanioni Holtës, me shkëmbinj që ngrihen vertikalisht mbi 100 metra, ujin e kristaltë dhe qetësinë që e thyen vetëm tingulli i natyrës, po tërheq vëmendjen e gjithnjë e më shumë turistëve.

Aventura në kanion nis me një shëtitje në terren të thjeshtë, por më tej shndërrohet në një eksplorim të vërtetë, ku turistët duhet të ecin nëpër ujë, të kalojnë mes galerive të ngushta dhe të ftohen me ujin e kthjellët që buron nga thellësitë e malit.

“Jemi nga Polonia. Është hera e parë që vijmë në Shqipëri dhe na pëlqen. Njerëzit janë mikpritës dhe vendi është i mrekullueshëm. Këtë vend do t’ua rekomandoj edhe miqve të mi.“

“Është hera e parë që vijmë në Shqipëri dhe është e mrekullueshme. Babai im ka qenë disa herë në Shqipëri dhe na ka folur për këtë vend kaq të mrekullueshëm.“

“E kemi eksploruar në male e në lumenj, dhe për ne Shqipëria është një vend shumë i rëndësishëm për t’u vizituar.“

Kanioni i Holtës dhe Ujëvara e Sotirës mbeten ndër atraksionet më të veçanta jo vetëm gjatë sezonit veror, por gjatë vitit.

“Ka turistë thuajse nga e gjithë bota, nga Spanja, Kroacia, Franca, Anglia. Edhe nga zona e Ballkanit, si Serbia, kemi pasur disa grupe. Më shumë bëhet fjalë për turizëm malor, kështu që vijnë për alpinizëm. Ka pasur vizitorë që kërkojnë të marrin dhoma me qira nëpër fshatrat dhe zonat turistike përreth,” thotë Sajmir Xharo, specialist në Sektorin e Turizmit në Bashkinë Gramsh.

Kanioni i Holtës është një dëshmi e jashtëzakonshme e asaj që Shqipëria ofron, një vend ku natyra flet, frymëzon dhe thërret për kujdes.

Gazetar: Enes Molla

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme