Kërkoi arrest shtëpie deri sa foshnja të bëhet 1 vjeç, Gjykata pranon kërkesën e të dënuarës

Aktualitet | 23 minuta më parë

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka pranuar kërkesën e të dënuarës Greta Gjoci për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të dënimit.

Në seancë ishte e pranishme edhe vetë Greta Gjoci, së bashku me foshnjën e saj 4-muajshe, e cila gjatë seancës u mbajt nga kujdestarja e burgut të Pojskës.

Gjoci u përfaqësua nga dy avokatët e saj, njëri prej të cilëve theu bojkotin e vendosur nga Dhoma e Avokatisë. Avokati Jurgen Gjoci deklaroi se, pavarësisht vendimit për bojkotimin e seancave, kishte vendosur të merrte pjesë për shkak të lidhjes familjare me të dënuarën.

Mbrojtja kërkoi që Greta Gjoci të kalojë në masën e arrestit në shtëpi deri sa fëmija të mbushë 1 vjeç. Sipas avokatit, të dënuarës i kanë mbetur edhe 3 vite e 5 muaj nga dënimi i dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë.

Gjatë seancës foli edhe vetë Greta Gjoci, e cila kërkoi shtyrjen e ekzekutimit të vendimit, duke argumentuar se ka një foshnjë 4-muajshe. Ajo deklaroi se fëmija ka shfaqur probleme shëndetësore, nuk ushqehet dhe nuk ka fjetur gjatë ditëve që ajo ka qëndruar në burgun e Pojskës.

Prokurori Ened Nakuci ishte dakord me kërkesën e mbrojtjes. Ai tha se, sipas parashikimeve të Kodit, vendimi i dënimit duhet fillimisht të ekzekutohet dhe më pas të pezullohet. Gjykata, pas shqyrtimit të kërkesës, vendosi pranimin e saj për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit.

33-vjeçarja është dënuar me 6 vite e 8 muaj burg për mashtrim kompjuterik në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal lidhur me skemat e mashtrimit përmes Call Center-ave të grupit të Bruno Çobos. Ajo u dënua përfundimisht nga Apeli i Gjykatës së Posaçme (GJKKO) për veprat penale të mashtrimit kompjuterik dhe pjesëmarrjes në grup të strukturuar kriminal, skemë e cila dyshohet se u shkaktoi dëm financiar shtetasve italianë.

Ajo u dërgua fillimisht në burgun e Pojskës (Pogradec) së bashku me foshnjën e saj 4 muajshe, gjë që solli vëmendje të madhe dhe verifikime nga Avokati i Popullit.
Sot GJKKO pranoi kërkesën e mbrojtjes për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit për shkak të foshnjës së mitur, duke vendosur mos-ekzekutimin e masës për një vit dhe lirimin e saj që të kthehet në banesë me fëmijën.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme