Kombëtarja/ Përgatitjet për Bjellorusinë: Asllani i diferencuar, Cake në rikuperim

Kombëtarja shqiptare zhvilloi sot seancën e radhës stërvitore në “Shtëpinë e Futbollit”, në kuadër të përgatitjeve për katër ndeshjet e UEFA Nations League.
Ekipi i drejtuar nga tekniku Rolando Maran e nisi stërvitjen në palestër, përpara se të zbriste në fushë, ku zhvilloi ushtrime taktike, provoi skema të ndryshme të lojës, goditjet standarde, si dhe ushtrime të tjera të programit stërvitor.
Ashtu si edhe një ditë më parë, Kristjan Asllani vijoi të stërvitej i diferencuar në Klinikën e Kombëtares dhe në palestër. Ndërkohë, Klisman Cake po ndjek programin e rikuperimit nën kujdesin e stafit mjekësor të Kombëtares.
Seanca e radhës e Kombëtares shqiptare do të zhvillohet nesër në stadiumin “Air Albania”, ku kuqezinjtë do të mbyllin përgatitjet për ndeshjen e parë ndaj Bjellorusisë. Stërvitja është programuar të nisë në orën 16:00, ndërsa 15 minutat e para do të jenë të hapura për median.
Ndërkaq, konferenca zyrtare për shtyp me trajnerin Rolando Maran dhe kapitenin Berat Gjimshiti do të zhvillohet po nesër, në orën 15:00, në sallën e konferencave të stadiumit “Air Albania”.
Në vijim, në orën 17:30, do të zhvillohet konferenca për shtyp e Kombëtares së Bjellorusisë, ndërsa në orën 18:00 skuadra bjelloruse do të zhvillojë stërvitjen zyrtare.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




