Demo në Kombinat: Rindërtimi duhet të ecë me ritëm, familjet kanë pritur mjaftueshëm

Në Kombinat, Tiranë, nisën punimet për pastrimin e sheshit në rrugën “Shaban Bardhoshi”, duke i hapur rrugë ndërtimit të banesave të reja për familjet që vijojnë të jenë në pritje të përfundimit të procesit të rindërtimit.
Puna, e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës, do të shoqërohet paralelisht edhe me ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës përreth pallateve të ndërtuara tashmë, me synim krijimin e një mjedisi më të sistemuar dhe funksional për banorët.
Gjatë vizitës, ministri i Punëve të Brendshme, Ervin Demo u takua me familjet dhe pa nga afër ecurinë e punimeve, duke nënvizuar nevojën për koordinim të plotë mes institucioneve dhe përshpejtim të procesit.
“Rindërtimi duhet të ecë me ritëm. Familjet kanë pritur mjaftueshëm. Tani duhet punë, çdo ditë, deri te çelësi i shtëpisë së re”, thekson ministri Demo.
Ndërhyrjet në Kombinat synojnë të çojnë përpara procesin e rindërtimit, i cili pati vonesa, e përmirësimin e kushteve të jetesës për familjet e prekura nga tërmeti i vitit 2019.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




