Korça e prenotuar për verën, operatorët fokusohen te cilësia e shërbimit
Rezervimet për muajt e verës në qytetin e Korçës janë thuajse drejt përfundimit, duke konfirmuar një interes të lartë dhe një trend gjithnjë në rritje të turizmit në këtë zonë.
Sipas operatorëve turistikë, prenotimet kanë nisur që një vit më parë dhe përfshijnë vizitorë nga vende të ndryshme të rajonit dhe Evropës.
“Për verën e 2025, rezervimet janë mbyllur, grupet janë prenotuar gati një vit para. Trendi qëndron i njëjtë dhe rezervimet vazhdojnë të jenë vetëm në rritje. Gjithashtu edhe pse është herët, kemi kërkesa për vitin 2026. Grupet që frekuentojnë më shumë janë nga Gjermania, Holanda dhe risi janë grupet nga Malta”, u shpreh Eriketa Kocollari, menaxhere hoteli.
Aktualisht, kapacitetet akomoduese janë të mjaftueshme për të përballuar fluksin, por sfida kryesore mbetet rritja e cilësisë së shërbimeve, në mënyrë që të përmirësohet përvoja e vizitorëve dhe të forcohet imazhi turistik i qytetit.
“Korça ka mjaftueshëm struktura akomoduese por duhet të rritet cilësia e shërbimit. Gjithashtu duhet më shumë punë me pjesën e muzeve dhe me trajtimin e klientëve”, tha ajo.
Korça po konfirmohet gjithnjë e më shumë si një destinacion i qëndrueshëm turistik, me potencial të madh për zhvillim të mëtejshëm.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





