Krahasoi luftën e Gazës me Holokaustin, Izraeli dënon deklaratat e presidentit brazilian

Izraeli ka dënuar deklaratat e presidentit brazilian pasi ai akuzoi Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Gaza, duke i krahasuar sulmet me Holokaustin.
Luiz Inácio Lula da Silva tha se fushata ushtarake e Izraelit ishte një betejë midis “ushtrie shumë të përgatitur, grave dhe fëmijëve”.
Izraeli akuzoi Lulën për banalizimin e Holokaustit dhe thotë se po lufton për të shkatërruar Hamasin dhe për të kthyer pengjet e marra nga grupi militant më 7 tetor.
Organizata kryesore hebraike në Brazil ka kritikuar gjithashtu komentet e Lulës.
Duke folur nga një samit i Bashkimit Afrikan në Etiopi, Lula tha se “ajo që po ndodh në Rripin e Gazës me popullin palestinez nuk ka asnjë paralele në momentet e tjera historike. Në fakt, ajo ekzistonte kur Hitleri vendosi të vriste hebrenjtë.
Nuk është një luftë ushtarësh kundër ushtarëve. Është një luftë midis një ushtrie shumë të përgatitur dhe grave e fëmijëve.”
Politikani veteran i krahut të majtë dënoi Hamasin pasi personat e armatosur vranë të paktën 1200 njerëz dhe kapën 253 pengje në një sulm të befasishëm ndaj Izraelit më 7 tetor.
Por që nga ajo kohë ai ka qenë me zë kritik ndaj fushatës ushtarake hakmarrëse të Izraelit, për të cilën ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Gaza thotë se ka vrarë më shumë se 28,800 njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë.
Komentet e tij të fundit vijnë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua se do të vazhdojë me një ofensivë në Rafah – qyteti më jugor i Gazës ku rreth 1.5 milionë njerëz janë larguar – përballë presionit në rritje ndërkombëtar.
Netanjahu tha se vërejtjet e Lulës ishin “një përpjekje për të dëmtuar popullin hebre dhe të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten. Krahasimi midis Izraelit me Holokaustin e nazistëve dhe Hitlerit po kalon një vijë të kuqe”.
Gjashtë milionë hebrenj u vranë sistematikisht nga regjimi nazist i Hitlerit gjatë viteve 1930 dhe 1940. Izraeli ka thirrur ambasadorin brazilian për një takim të hënën.
Konfederata izraelite braziliane tha se vërejtjet e Lulës ishin një “shtrembërim pervers i realitetit” që “fyente kujtimin e viktimave të Holokaustit dhe pasardhësve të tyre”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




