Krijimtaria letrare për fëmijë, shpallen tre fituesit e fondit
Tre autorë të letërsisë për fëmijë janë shpallur fitues të Fondit të Krijimtarisë Letrare për Fëmijë për vitin 2026.
Kjo është një nisëm e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit që synon të mbështesë krijimtarinë origjinale shqipe dhe të nxisë leximin tek fëmijët.
Juria e kryesuar nga autori Flori Kasaj, me anëtar shkrimtaret Rovena Rozhani dhe Rudina Çupi, përzgjodhi si fituese dorëshkrimet, “Na quajnë motrat qerejazit” të Teuta Toskës, “Tregimet e kalendarit” të Adelina Mamaqit dhe “Plaku me akullore” të Xhahid Bushatit.
Çdo vit Fondi i Krijimtarisë Letrare për Fëmijë mbështet botimin e tre veprave të reja në gjuhën shqipe.
Sipas drejtoreshës së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, kjo nisëm është pjesë e misionit për të pasuruar fondin e letërsisë për fëmijë dhe për t’i afruar ata gjithnjë e më shumë me librin dhe leximin.
“Fondi i krijimtarisë letrare Libër për fëmijë, ashtu sikurse dhe një fond tjetër që është Fondi i krijimtarisë letrare për autorët e rinj, janë krijuar enkas me këtë qëllim për të nxitur shkrimtarët t’i hedhin idetë e tyre në dorëshkrime, për të zgjedhur më të mirët mes dorëshkrimeve dhe për të dhënë kontributin institucional vetë Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit për t’i shndërruar këto dorëshkrime në libra. Në këtë rast kur bëhet fjalë për letërsinë për fëmijë, libri duhet parë në dy këndvështrime. Për cilësinë për të cilën fola deri tani, por edhe për një aspekt tjetër që është shumë i rëndësishëm, për letërsinë shqipe në veçanti.”
Në rastin e letërsisë për fëmijë, libri shihet në dy këndvështrime: cilësia e veprës dhe rëndësia e saj për pasurimin e letërsisë shqipe.
Ky fond u jep mundësinë tre autorëve të botojnë veprat e tyre, duke nxitur krijimtarinë letrare për fëmijë dhe duke sjellë tituj të rinj në bibliotekën e librit shqip.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




