Kryediplomati i BE-së: Situata në Bregun Perëndimor, pengesë për zgjidhjen me dy shtete

Botë | 3 vite më parë

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Joseph Borrell ka bërë të ditur se situata në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli po shndërrohet në një pengesë të vërtetë për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez, duke shtuar se paqja në Lindjen e Mesme nuk mund të arrihet pa një perspektivë të qartë për popullin palestinez.

Duke folur në Konferencën e Sigurisë në Munih, Josep Borrell tha se niveli i dhunës kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor është rritur që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor dhe nuk është diskutuar mjaftueshëm.

“Të gjithë flasin për përfundimin e luftës në Gaza. Po, ne duhet t’i japim fund luftës në Gaza. Por askush nuk ka folur shumë për Bregun Perëndimor” tha ai duke theksuar se “Bregu Perëndimor po zien”.

Borrell shtoi se ai beson se ka hapësirë që Evropa të mbështesë një zgjidhje me dy shtete, por për këtë, tha ai Evropa duhet të jetë më e bashkuar dhe duhet të ketë SHBA-në më pranë saj.

Sipas marrëveshjes së paqes të Marrëveshjeve të Oslos të viteve 1990, plani ishte që Izraeli të dorëzonte gradualisht kontrollin mbi gjithnjë e më shumë Bregun Perëndimor, por kjo nuk ka ndodhur kurrë. Izraeli ka kontroll të plotë administrativ dhe sigurie mbi 60% të zonës.

Më shumë se 700 mijë kolonë hebrenj jetojnë aktualisht në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor, tokë në të cilën palestinezët, së bashku me komunitetin ndërkombëtar, duan të krijojnë një shtet të ardhshëm palestinez.

Vendbanimet konsiderohen të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar dhe shihen gjerësisht si një nga pengesat kryesore për një zgjidhje me dy shtete, transmeton CNN.

Ndërsa zonat ku vendbanimet shkelin tokën palestineze kanë qenë gjithmonë të prirura ndaj dhunës, sulmet e kolonëve ndaj palestinezëve kanë dalë jashtë kontrollit muajt e fundit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme