Kur mjalti bashkon kulturat, shija e mjaltit korçar tërheq turistët drejt juglindjes

Aktualitet | 12 muaj më parë

Rreth 50 turistë nga Serbia kanë mbërritur në qytetin e Korçës, ku kanë zhvilluar një vizitë në një nga fermat më të mëdha dhe më të njohura të bletarisë, në të gjithë rajonin juglindor të vendit.

Vizita e tyre është rezultat i një bashkëpunimi që nisi në vitin 2022, gjatë një panairi ndërkombëtar të produkteve natyrore në Novi Sad.

Pikërisht aty, përfaqësuesit e fermës shqiptare morën pjesë me produktet e tyre bletare, të cilat tërhoqën vëmendjen dhe admirimin e vizitorëve serbë për cilësinë, shijen dhe mënyrën e përpunimit të tyre.

Sot, pas dy vitesh, grupi i turistëve serbe ka ardhur për ta parë nga afër këtë fermë model, për t’u njohur me procesin e prodhimit të mjaltit dhe produkteve të tjera bletare.

Gjatë vizitës, ata patën mundësinë të shijojnë produktet bio, të ndjekin nga afër punën e bletarëve dhe të mësojnë më shumë për mënyrën tradicionale të përkujdesjes ndaj koshereve.

“E kishim vendosur të vinim dhe erdhëm, jemi të lumtur sepse e prisnim këtë vizitë, po më pëlqen shumë. Është një mrekulli. Gjithçka duket perfekte dhe mezi po presim të shijojmë produktet e kësaj ferme”, shprehet turisti.

“Sapo provova produktet, janë të mrekullueshme. Kanë një shije të veçantë që nuk e has kudo”, tha një turist.

Përfaqësues të fermës shprehën kënaqësinë që prodhimet shqiptare po njihen gjithnjë e më shumë jashtë vendit, ndërsa theksuan se ky është një hap i rëndësishëm drejt zhvillimit të turizmit agro-ushqimor dhe promovimit të pasurive natyrore të zonës së Korçës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme