Kushner: Ka ende punë për zbatimin e marrëveshjes së Gazës

Amerikë | 31 minuta më parë

I dërguari amerikan Jared Kushner, dhëndri i presidentit Donald Trump, ka përkujtuar përvjetorin e parë të marrëveshjes për lirimin e pengjeve në Gaza me një postim në ‘X’, ku thekson arritjet e deritanishme, por evidenton  sfidat kryesore.

Në postimin e tij të datës 9 tetor 2026, Kushner kujton se një vit më parë, më 9 tetor 2025, u arrit marrëveshja mbi planin 20-pikësh të presidentit Trump për Gazën – një marrëveshje që shumë e konsideronin të pamundur.

Sipas tij, pas dy vitesh lufte shkatërruese, marrëveshja hapi rrugën për ribashkimin e familjeve me pengjet, sigurinë e Izraelit, lehtësimin e vuajtjeve të palestinezëve në Gaza dhe ndërtimin e një të ardhmeje të ndryshme për rajonin.

“Një vit më vonë, është e mahnitshme se sa shumë ka ndryshuar. Situata është larg nga ajo që do donim, por progresi është real dhe bota është më mirë me këtë,” shkruan Kushner.

Megjithatë, Kushner thekson se puna e vërtetë sapo ka filluar.

“Ka ende punë përpara. Çarmatimi i Hamasit dhe grupeve terroriste duhet të zbatohet, siguria të vendoset, shërbimet thelbësore të restaurohen dhe komunitetet të rindërtohen. Asgjë nga këto nuk do të jetë e lehtë. Por ne kemi një plan të menduar mirë, partnerë të përkushtuar dhe një rrugë përpara që nuk ekzistonte një vit më parë,” shkruan ai.

Ai falënderon presidentin Trump, ekipin e tij, partnerët ndërkombëtarë nga Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Turqia, Arabia Saudite, Izraeli dhe të tjerë, si dhe shumë vullnetarë që kanë punuar për këtë proces.

Marrëveshja e tetorit 2025 shënoi fundin e fazës së parë të konfliktit që filloi me sulmet e 7 tetorit 2023. Ajo solli lirimin e pengjeve të gjalla dhe të të vdekurve, tërheqje të pjesshme izraelite dhe rritje të ndihmës humanitare.

Megjithatë, zbatimi i plotë i planit – veçanërisht çarmatimi i Hamasit, stabilizimi i sigurisë dhe rindërtimi i Gazës – mbetet sfida kryesore, sipas vëzhguesve dhe vetë Kushnerit.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme