Lezha investon për udhërrëfyes turistikë, sigurohet edhe këtë vit kursi i akredituar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
E fokusuar në turizëm, Lezha do të nxjerrë edhe gjatë vitit 2026 udhërrëfyes turistikë të certifikuar, për t’i shërbyer sa më mirë këtij sektori.
Bashkia do të mundësojë pagesën e 50% të vlerës së certifikimit, ndërsa pjesa e mbetur do të mbulohet nga kursantët.
Gjatë takimit sensibilizues për nxitjen e të rinjve që të bëhen pjesë e kursit, Drejtori i Turizmit në Bashkinë Lezhë, Renaldo Xhani, tha se guidat e certifikuara janë një domosdoshmëri për Lezhën, që po njeh çdo vit rritje të numrit të vizitorëve.
“Vitin e fundit po shtohet numri i turistëve. Kemi parë që është shumë e nevojshme për guida, ku operatorët turistikë kërkojnë guida për t’i shoqëruar edhe në vende të tjera përveç plazheve, siç kemi Memorialin e Skënderbeut, kalanë apo kishat e vjetra dhe fenomene të mira të agroturizmit, për t’i ofruar ditë të ndryshme dhe për të punësuar komunitetin e zonës”, deklaroi Xhanaj.
Me këtë lëvizje, e cila vijon prej tre vitesh, Bashkia Lezhë synon të ndikojnë tek turizmi i sigurt dhe cilësor.
Kurikula e akredituar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit do të jetë e plotë dhe e azhornuar me të rejat në sektorin e turizmit, duke mundësuar që në tre muaj këtyre të rinjve t’u jepet njohuri e plotë për historinë, kulturën dhe resurset natyrore.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





