Lideri i Ukrainës, sfidues në përvjetorin e pushtimit rus

Ukrainasit u përlotën sot në përkujtimoret për dhjetëra mijëra të vdekur të tyre, një numër që po rritet çdo ditë në mënyrë të pashmangshme, ndërsa luftimet po zhvillohen kryesisht në Ukrainën lindore.
E premtja shënoi përvjetorin e pushtimit në shkallë të plotë nga Rusia ndaj Ukrainës, por lufta midis forcave të mbështetura nga Rusia dhe trupave ukrainase është ndezur në lindje të vendit që nga viti 2014.
Vrasjet vazhduan dhe sot. Granatimet ruse vranë tre civilë të tjerë dhe plagosën 19 në 24 orët e fundit, tha zyra presidenciale e Ukrainës. Në të gjithë vendin, ukrainasit kujtojnë një vit që ndryshoi jetën e tyre dhe duke shfaqur një të ardhme të turbullt.
“Unë mund ta përmbledh vitin e kaluar me tre fjalë: Frikë, dashuri, shpresë,”- tha Oleksandr Hranyk, një drejtor shkolle në Kharkiv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës.
E rreshtuar në kryeqytet, Kiev, për të blerë pulla postare përkujtimore për përvjetorin, Tetiana Klimkova tha se “kjo ditë është bërë për mua një symbol, pasi kemi mbijetuar për një vit të tërë dhe do të vazhdojmë të jetojmë”, tha ajo.
“Në këtë ditë, fëmijët dhe nipërit tanë do të kujtojnë se sa të fortë janë ukrainasit mendërisht, fizikisht dhe shpirtërisht.”

Por paqja nuk duket askund. Kina bëri thirrje të premten për një armëpushim, një ide që Ukraina e kishte refuzuar më parë nga frika se një pauzë do të lejonte Rusinë të rigrupohej ushtarakisht pas goditjeve në fushë betejë.
Një ndihmës i lartë i Zelenskyy, Mykhailo Podolyak, tha se propozimet e Kinës, nëse zbatohen, do të ngrinin luftën dhe do të çonin në humbjen e Ukrainës.
Një dokument prej 12-pikash i hartuar nga ministria e Jashtme e Kinës kërkon ndër të tjera edhe një fund të sanksioneve që synojnë të shtrydhin ekonominë e Rusisë.
Kjo kërkesë duket si e parakohshme, duke pasur parasysh se vendet perëndimore po punojnë për të shtrënguar edhe më tej lakun e sanksioneve dhe jo për ta liruar atë.
Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar vendosi më shumë sanksione të premten ndaj firmave që furnizojnë me pajisje ushtarake Moskën. Ajo tha se do të ndalojë eksportet në Rusi të pjesëve të avionëve dhe komponentëve të tjerë.

Ukraina po përgatitet një tjetër ofensivë ushtarake, me ndihmën e armatimit që është derdhur nga Perëndimi, për të rikthyer forcat ruse në pozicionet e mëparshme.
Polonia, anëtare e NATO-s, tha të premten se kishte dorëzuar katër tanke të avancuara Leopard 2A4, duke e bërë atë vendin e parë që dorëzon tanket e prodhimit gjerman në Ukrainë.
Kryeministri i Polonisë, gjatë një vizite në Kiev tha se do të dërgohen më shumë tanke Leopard. Ministri i Mbrojtjes i Polonisë tha se kontributet nga vendet e tjera do të ndihmonin në formimin e batalionit të parë Leopard të Ukrainës me 31 tanke.
“Ukraina po hyn në një periudhë të re, me një detyrë të re – të fitojë”,- tha ministri ukrainas i Mbrojtjes, Oleksiy Reznikov.
“Nuk do të jetë e lehtë. Por ne do t’ia dalim”,- shtoi ai.
“Ka tërbim dhe një dëshirë për t’u hakmarrë për të rënët.”
Alarmet e sulmit ajror nuk u dëgjuan brenda natës në Kiev, duke zbutur shqetësimet se Rusia mund të lëshojë një breshëri tjetër raketash për të krijuar akoma më shumë trishtim në Ukrainë në përvjetorin e sulmit.
Megjithatë, qeveria rekomandoi që shkollat të zhvendoseshin klasa me internet dhe punonjësve iu kërkua të punonin nga shtëpia.
Një vit më parë pati frikë se vendi mund të binte brenda disa javësh. Zelenskyy iu referua atyre momenteve të errëta.
“Ne luftuam ashpër çdo ditë. Ne duruam ditën e dytë. Pastaj, e treta,”- tha ai. “Dhe ne ende e dimë, çdo e nesërme ia vlen të luftosh.”
Përvjetori ishte prekës edhe për prindërit e fëmijëve të lindur pikërisht një vit më parë, pasi bombat filluan të vrisnin dhe të gjymtonin në të gjithë vendin.
“Është një tragjedi për të gjithë vendin, për çdo ukrainas,”- tha Alina Mustafaieva, e cila lindi vajzën Yeva atë ditë.
Homazhe për qëndrueshmërinë e Ukrainës u zhvilluan në vende të tjera. Kulla Eifel në Paris u ndriçua me ngjyrat e Ukrainës, të verdhë dhe blu.
Në Berlin, u ekspozua një tank rus i shkatërruar. Aktivistët kundër luftës në Beograd, Serbi, lanë një tortë të mbuluar me krem të kuq që përfaqësonte gjak dhe një kafkë sipër në një trotuar pranë Ambasadës Ruse, të cilës policia i ndaloi t’i afroheshin.
Në Rusi, media dhe grupet e të drejtave raportuan arrestime policore të protestuesve që dolën në rrugë me slogane kundër luftës dhe lule në pjesë të ndryshme të vendit.
Në Ukrainë, Zelenskyy e nisi ditën me një postim në Tëitter herët në mëngjes ku premtonte: “Ne e dimë se viti 2023 do të jetë viti i fitores sonë!”
Ai u zotua të mos braktisë ukrainasit që jetonin nën pushtimin rus, duke deklaruar: “Në një mënyrë ose në një tjetër, ne do t’i çlirojmë të gjitha tokat tona”. Ai iu drejtua trupave në një shesh të Kievit, duke përfshirë vejushën dhe vajzën e një ushtari të rënë, duke u thënë atyre:
“Nuk do t’i harrojmë kurrë”.

(Një burrë vendos lule mbi varrin e një të afërmi gjatë një shërbimi përkujtimor për të shënuar një vjetorin e fillimit të luftës në Rusi në Ukrainë)
Në një spital të Kievit, ai dekoroi luftëtarët e plagosur.
Një vit më pas, shifrat e viktimave janë të tmerrshme nga të dyja palët, megjithëse Moska dhe Kievi i mbajnë të fshehta shifrat e sakta. Vlerësimet perëndimore sugjerojnë qindra mijëra të vrarë dhe të plagosur.
Pushtimi, duke përfshirë dështimin e Rusisë për të përmbushur objektivin e saj fillestar për të pushtuar Kievin, ka dëmtuar rëndë reputacionin e ushtrisë ruse si një forcë luftarake.
Megjithatë, ajo ka lëshuar një breshëri të pandërprerë zjarri në Ukrainë gjatë vitit të kaluar.
Pasojat ekonomike kanë shpërthyer në të gjithë globin. Pasojat diplomatike gjithashtu. Vendet perëndimore po mbështesin Ukrainën ushtarakisht, financiarisht dhe politikisht.
Por Kina, India dhe vendet në jugun global janë treguar të tërhequra, në lidhje me argumentet perëndimore se Ukraina është vija e parë e luftës për liri dhe demokraci. Apnews
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




