Macron: S’duhet të ketë luftë në Liban, t’i jepet fund edhe asaj në Gazë

Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se do të dërgojë ministrin e tij të Jashtëm në Liban si pjesë e përpjekjeve për të ndaluar shpërthimin e luftës, duke i bërë thirrje Izraelit dhe grupit terrorist Hezbollah që të ndalojnë menjëherë armiqësitë.
“Nuk mund të ketë, nuk duhet të ketë luftë në Liban. Ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndërpresë këtë përshkallëzim në Liban dhe Hezbollahut të ndalojë sulmet me raketa drejt Izraelit. Ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që i sigurojnë [Hezbollahut] mjetet për ta bërë këtë, të ndalojnë së vepruari këtë”, tha Macron në fjalimin e mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.
Gjithashtu, Macron ka kërkuar vendosjen e armëpushimit “sa më shpejt të jetë e mundur” në Gazë, duke thënë se lufta Izrael-Hamas ka zgjatur shumë, duke shtuar se “nuk ka asnjë shpjegim të mundshëm” për vdekjet e mijëra civilëve.
Ndërkaq, më herët, presidenti amerikan Joe Biden paralajmëroi për përhapjen e luftës në Lindjen e Mesme por tha se ekziston ende një mundësi për të zgjidhur konfliktin.
“Një luftë gjithëpërfshirëse është e mundur, por unë mendoj se ekziston gjithashtu mundësia – jemi ende në lojë për të pasur një zgjidhje që mund të ndryshojë rrënjësisht të gjithë rajonin”, tha Biden, në një intervistë për ABC.
Izraeli zgjeroi sulmet ajrore në Liban më 25 shtator dhe rrëzoi një raketë të Hezbollahut, sipas të cilit kishte qëlluar agjencinë e spiunazhit të Mossadit pranë Tel Avivit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



