Master i Shkencave në Shkencat Bujqësore, “Fan S. Noli” hap programin e parë të avancuar në bujqësi

Aktualitet | 1 vit më parë

Viti i ri akademik 2025–2026 vjen me një risi për Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin “Fan Stiljan Noli” të Korçës.

Pranë Departamentit të Agronomisë do të ofrohet programi i ri i studimit “Master i Shkencave në Shkencat Bujqësore”, duke krijuar një mundësi unike për studentët që duan të thellojnë njohuritë dhe kërkimin shkencor në fushën e bujqësisë.

“Ne u nisëm për të hapur këtë lloj programi që është niveli më i lartë i studimeve që ofrohet në Fakultetin e Bujqësisë. Lidhur me kërkesat që ka tregu i punës dhe lidhur me mbështetjen që duhet të japim për zhvillimin e qëndrueshëm të bujqësisë të rajonit të Korçës”, thotë Prof. As. Dr. Adrian Maho, Përgjegjës i Departamentit të Agronomisë.

Qëllimi i këtij programi është përgatitja e shkencëtarëve të rinj, pedagogëve, sipërmarrësve, specialistëve dhe drejtuesve të administratës publike apo biznesit privat në mënyrë gjithëpërfshirëse.

“Në këtë drejtim, ne kemi studiuar mbi 50 mastera dhe kemi marrë më të mirën prej tyre. Ky program është unikal. Strukturat bazë janë shkencat bujqësore, por jemi munduar të fusim edhe lëndë të reja që i përkasin informatizimit në fushën e bujqësisë si edhe lëndë të reja në fushën e menaxhimit ekonomik në fushën bujqësore”, thekson ai.

Ky program i ri studimi ofron përgatitje të avancuar në teorinë dhe praktikën bujqësore, duke u dhënë studentëve aftësitë e nevojshme për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm rural, inovacionin në prodhimin bujqësor dhe përballimin e sfidave mjedisore e ushqimore.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme