Maturanti ekselent i “Qemal Stafës”, David Prifti rrëfen planet për të ardhmen: Përzgjedh të studioj për mjekësi

Arsim | 12 muaj më parë

Gjatë tre viteve të gjimnazit ka punuar fort, është përpjekur të ketë një performancë të lartë në të gjitha lëndët dhe në fund mundi iu shpërblye.

David Prifti, maturanti i shkollës së mesme “Qemal Stafa”, falë vullnetit, përkushtimit dhe disiplinës, ia arriti të renditet ndër maturantët ekselentë dhe të rezultojë fitues në të 10 programet e studimit ku aplikoi për në universitet.

“Për mua personalisht më është dashur punë, sidomos për të kapur degën që dëshiroja. Është tjetër lloj përkushtimi, viti i fundit. Bashkë me mikun tim, për të kapur mjekësinë, nuk kemi bërë as pushime dhe as kemi dalë. Rrinim minimumi 9 orë mbi libra dhe bënim ushtrime. Falë Zotit, e arritëm, e kapëm”, tha ai.

Gjithmonë kishte menduar se do të bëhej arkitekt, por në momentin e fundit ndryshoi gjithçka. Në fund, Davidi vendosi të studiojë mjekësinë e përgjithshme.

“Mjekësia ka qenë një vendim mjaft spontan. E dorëzova në momentin e fundit letrën, sepse personalisht besoj që Zoti ka një rrugëtim të veçantë për secilin. Kur erdhi puna për të zgjedhur degët, nuk ma bënte zemra të shkruaja arkitekturë dhe zgjodha mjekësinë. Iu luta Zotit që, nëse e kap mjekësinë, ta kem si shenjë që ky është rrugëtimi për mua”, u shpreh Prifti.

18-vjeçari ka nënshkruar kontratën me Ministrinë e Arsimit që, pas përfundimit të studimeve, të detyrohet të punojë për 3 vite në Shqipëri. Synon të specializohet jashtë, por dëshiron të rikthehet për të kontribuar në vend.

“Jam patriot, dua të punoj këtu. Edhe nëse bëj një specializim jashtë, sërish dua të kthehem në Shqipëri. Të ardhmen e shoh vetëm këtu”, nënvizoi studenti ekselent.

Rrugëtimi i 12 viteve shkollim i Davidit u përmbyll me sukses. I tillë mund të jetë edhe për shumë të rinj të tjerë që karakterizohen nga vendosmëria, pasioni dhe disiplina.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme