Mbi 20 vjet guidë turistike, Shkëlqim Tuzi nga Shkodra: Gjirokastra është ndër më të preferuarat
Shkëlqim Tuzi, nga Shkodra, prej më shumë se dy dekadash ka zgjedhur t’i përkushtohet turizmit, duke ushtruar profesionin e guidës turistike. Rrugëtimi i tij nisi nga pasioni për historinë dhe kulturën, duke shoqëruar vizitorë në qytetet kryesore të vendit dhe duke përcjellë tek ta vlerat më të spikatura të trashëgimisë shqiptare.
“Ka qenë një ofertë e një agjencie me turist shqiptar që po kalonin Malin e Zi dhe kështu filloi”, u shpreh Tuzi.
Ndër qytetet ku eksperienca e tij është më e pasur, Gjirokastra zë një vend të veçantë. Ai tregon se çdo shëtitje nëpër rrugicat karakteristike dhe çdo ndalesë në monumentet historike e bën këtë qytet një pikë referimi për turistët vendas e të huaj. Për të, Gjirokastra është një destinacion ku historia, kultura dhe mikpritja ndërthuren në një mënyrë të pazëvendësueshme.
“Është impresioni i parë me bukurinë, me gurët ndërsa pjesa e kalasë ka vecantinë e saj, por është dhe bukuria e kulinarisë”, tha ai.
Duke e parë nga afër zhvillimin e sektorit, Shkëlqim Tuzi vëren ndryshime pozitive ndër vite. Sipas tij, rritja e numrit të vizitorëve, përmirësimi i shërbimeve turistike dhe investimet në infrastrukturë kanë ndikuar që Gjirokastra të ketë një profil edhe më të fortë në hartën e turizmit .
Ai beson se ky progres është një tregues i qartë se turizmi po shndërrohet në një prej shtyllave kryesore të zhvillimit vendit tonë.
Gazetare: Enkeleda Domeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





