Mblidhet sot Këshilli i Sigurisë Kombëtare

Aktualitet | 13 minuta më parë

Presidenti i Republikës Bajram Begaj mbledh sot (28 shtator) Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Republikës së Shqipërisë.

Mbledhja është caktuar të mbahet mëngjesin e sotëm në Pallatin e Brigadave, ku të pranishëm do të jenë kryeministri Edi Rama dhe autoritetet më të larta të sigurisë.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare vjen pas shkarkimit të kreut të SHISH, Vlora Hyseni. Kjo e fundit u vetëdorëzua më 22 shtator ndërsa aktualisht ndodhet në masën “arrest në shtëpi”. Ndaj Hysenit rëndojnë akuzat Përkrahja e autorit të krimit”, dhe “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete”. Dyshohet se Hyseni i ka vendosur në dispozicion materiale sekrete shtetërore Ergys Agasit, i arrestuar për aferën e AKSHI-t.

Ndërkaq, pas shkarkimit nga detyra të Vlora Hysenit, Presidenti Bajram Begaj thërriti në takim Drejtorin e Komanduar të Shërbimit Informativ Shtetëror, Elvis Lila, Ministrin e Brendshëm Ervin Demo, si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme