Më shumë turistë në qarkun Shkodër, Angoni: Përmirësim në pastrim dhe hapësirat publike
Qarku Shkodër këtë sezon ka mirëpritur më shumë turistë. Prefektja e Qarkut Shkodër, njëherësh drejtuese e task-forcës në terren, Majlinda Angoni, tha se ka pasur përmirësime në shërbimin e pastrimit dhe në menaxhimin e hapësirave në plazhe. Aktualisht, 60% e hapësirës së plazhit është nën administrimin e Bashkisë Shkodër.
“Krahasuar me vitet e kaluara, gjashtëmujori i parë i këtij viti ka shënuar një rritje të turistëve në qarkun e Shkodrës. Ky numër i ardhjes së turistëve ka të bëjë edhe me rritjen e cilësisë së shërbimit. Kemi një përmirësim të infrastrukturës, është përmirësuar ndjeshëm niveli i pastërtisë. 60 për qind e plazhit menaxhohet nga bashkia dhe kjo padyshim ka rritur edhe frekuentimin ditor të plazheve,” tha Angoni.
Ajo vlerësoi edhe bashkërendimin e punës mes Policisë Vendore dhe asaj Bashkiake, veçanërisht në përballimin e trafikut në hyrje të Shkodrës.
“Dua të theksoj edhe punën e mirë të Policisë Vendore që, së bashku me Policinë Bashkiake, janë duke bashkëpunuar në monitorimin dhe lehtësimin e aksesit rrugor, pasi këto ditë trafiku është tepër i shtuar,” u shpreh Angoni.
Disa ditë më parë, prefektja mblodhi task-forcën në Velipojë, ku kërkoi angazhim maksimal nga çdo strukturë.
Gazetare: M. Gjoni
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





