Ministri i Brendshëm vlerëson efektivët që shpëtuan gruan në Shkodër: Shembull guximi, e shpëtuan pa hezitim nga mbytja

Aktualitet | 7 muaj më parë

Një tragjedi e mundshme është shmangur mëngjesin e sotëm në qytetin e Shkodrës, falë ndërhyrjes së guximshme dhe të menjëhershme të dy efektivëve të Policisë së Shtetit. Erixhon Senko dhe Francesko Hoxha janë hedhur në ujërat e lumit Buna për të shpëtuar një 59-vjeçare, e cila kishte tentuar t’i jepte fund jetës.

Ngjarja është regjistruar rreth orës 09:30. Sipas njoftimit zyrtar, Salla Operative mori një telefonatë emergjente për një qytetare që ishte hedhur në rrjedhën e lumit. Patrulla e Komisariatit të Policisë Shkodër mbërriti në një kohë rekord në vendngjarje. Pa hezituar për asnjë moment, të dy efektivët u hodhën në ujë dhe arritën të neutralizojnë situatën, duke e nxjerrë gruan në breg.

Shtetasja me iniciale V. T., 59 vjeçe, u nxor nga uji në gjendje të rëndë, por fatmirësisht me shenja jete. Pasi ka marrë ndihmën e parë në vendngjarje nga vetë punonjësit e policisë, ajo është transportuar menjëherë me autoambulancë drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës, ku po merr asistencën e nevojshme mjekësore.

Akti i lartë njerëzor dhe profesional i dy policëve të rinj ka marrë vëmendjen dhe vlerësimin e kreut të dikasterit të rendit. Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, shprehu mirënjohjen e tij publike përmes rrjeteve sociale, duke i cilësuar ata si shembull të pastër të misionit të Policisë.

“Në ato çaste kur çdo sekondë bën diferencën, ata zgjodhën të veprojnë pa hezitim, duke vënë jetën e tyre në rrezik për të shpëtuar një tjetër. Ky është misioni më i lartë i uniformës: të jesh aty kur qytetarët kanë më shumë nevojë,” theksoi Lamallari.

Ministri e mbylli reagimin e tij duke i përgëzuar të rinjtë dhe duke nënvizuar se veprimi i tyre dëshmon qartë se shërbimi ndaj komunitetit është një thirrje e brendshme që kërkon guxim të pashoq.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme