Moti i keq sjell katastrofa, përmbytjet vdekjeprurëse goditën Evropën Qendrore dhe Lindore

Zyrtarët në Rumani njoftuan se të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë zhdukur. Autoritetet në rajonin juglindor të Galatit në këtë shtet thanë se 700 shtëpi ishin përmbytur. “Kjo është një katastrofë me përmasa epike” – tha një zyrtar lokal. Në Austri, një zjarrfikës humbi jetën gjatë një operacioni shpëtimi.
E gjithë provinca e Austrisë së Poshtme, që rrethon kryeqytetin Vjenë është shpallur zonë katastrofe, ndërsa autoritetet vendase flasin për një situatë ekstreme të paprecedentë. Linja të shumta hekurudhore janë anuluar, pjesë të metrosë së Vjenës janë mbyllur dhe të paktën një autostradë është përmbytur.
Kancelari i Austrisë Karl Nehammer tha se situata e stuhisë ishte përkeqësuar dhe ishte shumë serioze. Edhe në Poloni u raportua për një humbje jete, ndërsa kryeministri polak Donald Tusk, shpalli gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Në Krakov, qyteti i dytë më i madh i Polonisë, banorëve u janë dhënë thasë me rërë për t’u mbrojtur nga përmbytjet.
Republika Çeke është përballur me reshjet më të dendura ndonjëherë, ndërsa katër persona rezultojnë të zhdukur. Në këtë vend rreth 250 mijë familje janë ende pa energji elektrike. Në kryeqytetin Pragë, autoritetet ndërmorën masa për të parandaluar përmbytjet rreth lumit Volltava.
Lidhjet hekurudhore mes Polonisë dhe Republikës Çeke u pezulluan për shkak të motit ekstrem. Sipas parashikimeve të motit pritet që reshjet e shiut dhe erërat e forta që nisën javën e kaluar, të vazhdojnë edhe gjatë ditës së hënë. Ndërsa ekspertët botërorë të motit thonë se nisur nga ndryshimet klimatike gjasat dhe intensiteti i ngjarjeve të tilla natyrore në Evropë do të shtohen.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



