Ndahet nga jeta Agron Lufi, arkitekti i njohur kontribuoi mbi 5 dekada në zhvillimin e arkitekturës

Aktualitet | 33 minuta më parë

Një jetë kushtuar arkitekturës, pedagogu, studiuesi dhe arkitekti i njohur Agron Lufi është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare.

Familjarë e të afërm, miq e kolegë kryen homazhe në nderim të një prej emrave të njohur, i cili për më shumë se pesë dekada kontribuoi në arsimin, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e arkitekturës e urbanistikës në Shqipëri.

Në fjalën e mbajtur gjatë homazheve, bashkëpunëtorë folën për kontributin dhe vlerat e pazëvendësushme të tij.

“Pas atij qëndrimi dinjitoz fshihej një njeri i brishtë, jashtëzakonisht i këndshëm në bisedë, me humor të hollë dhe një ngrohtësi që të bënte menjëherë ta doje. Ishte gjithmonë serioz në mendim, rrezatues me energji dhe thellësisht modest në çdo hap.Nuk është e lehtë të flasim për Agron Lufin në kohën e shkuar, sepse njerëzit që kanë qenë pjesë e jetës së një institucioni nuk largohen menjëherë prej tij. Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtesën, vlerat dhe gjurmët që kanë lënë pas.

Agron Lufi u diplomua inxhinier ndërtimi në Universitetin Politeknik të Tiranës në vitin 1969 dhe e nisi karrierën akademike si asistent pedagog në Katedrën e Arkitekturës dhe Urbanistikës.

Gjatë karrierës së tij fitoi titujt “Kandidat i Shkencave” në Arkitekturë, “Doktor i Shkencave”, “Profesor i Asociuar”.

Ai drejtoi Fakultetin e Inxhinierisë së Ndërtimit gjatë viteve 1992-1997 dhe Departamentin e Arkitekturës dhe Urbanistikës në periudhën 2003–2008, ndërsa ishte gjithashtu përgjegjës i Qendrës së Kërkimit Shkencor pranë këtij fakulteti.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme