Ndarja nga jeta e Mbretëreshës Elizabeth II, liderët nga e gjitha bota përcjellin mesazhe ngushëllimi

Botë | 4 vite më parë

Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë e Mbretërisë së Bashkuar, ka vdekur në moshën 96-vjeçare. Ajo vdiq paqësisht në Kështjellën Balmoral të enjten pasdite, ndërsa liderat nga e gjithë bota kanë shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të monarkes.

Presidenti i SHBA, Joe Biden, kujtoi takimin e tyre të parë në 1982 dhe së fundmi kur ajo e priti atë gjatë një udhëtimi jashtë shtetit në 2021.

“Ajo na magjepsi me zgjuarsinë e saj, na emocionoi me mirësinë e saj dhe ndau bujarisht me ne mençurinë e saj. Ajo qëndroi në solidaritet me Shtetet e Bashkuara gjatë ditëve tona më të errëta pas 11 shtatorit, kur ajo na kujtoi në mënyrë prekës se, ‘Pikëllimi është çmimi që paguajmë për dashurinë’”, tha Biden.

Presidenti francez Emmanuel Macron bëri homazhe, duke thënë se Mbretëresha ishte një monarke “zemërmadhe” dhe një “mike e Francës”.

“Madhëria e saj Mbretëresha Elizabeth II mishëroi vazhdimësinë dhe unitetin e kombit britanik për më shumë se 70 vjet. E mbaj mend si një mike të Francës, një mbretëreshë zemërmirë që ka lënë një përshtypje të qëndrueshme në vendin e saj dhe në shekullin e saj“, shroi ai

Ndërkohë, kancelari gjerman Olaf Scholz e përshkroi Mbretëreshën si një “model dhe frymëzim për miliona”. Ai vlerësoi rolin e saj në riparimin e marrëdhënieve midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Gjermanisë pas “tmerrit të Luftës së Dytë Botërore”.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se mbretëresha Elizabeth ishte “një nga njerëzit e tij më të preferuar në botë”.

“Ajo ishte një prani e vazhdueshme në jetën tonë dhe shërbimi i saj për kanadezët do të mbetet përgjithmonë një pjesë e rëndësishme e historisë së vendit tonë. Do me mungoje kaq shume”, shkroi Trudeau.

Mbretëresha Elizabeth II, monarkja më jetëgjatë e Mbretërisë së Bashkuar, ka vdekur në moshën 96-vjeçare. Ajo u nda nga jeta paqësisht në Kështjellën Balmoral të enjten. Kurora i kalon menjëherë djalit të saj dhe trashëgimtarit Charles, i cili tani është Mbret.

 

Lajmet minutë pas minute:

Ora 22:09/ Boris Johnson: Valët e trishtimit po përhapen në mbarë botën

Ish-kryeministri britanik Boris Johnson tha se vendi po përjetonte një ndjenjë të thellë trishtimi me vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth.

“Më dukej kaq e përjetshme dhe kaq e mrekullueshme saqë kam frikë se kishim arritur të besojmë, si fëmijë, se do të vazhdonte e vazhdonte. Një valë pas tjetrës hidhërimi po përhapet në të gjithë botën, nga Balmoral, ku të gjitha mendimet tona janë me familjen mbretërore, dhe duke arritur shumë përtej këtij vendi dhe në të gjithë Komonuelthin e madh të Kombeve, aq të dashur për mbretëreshën”, shkroi ai.

Ora 20: 49/ Vdekja e Mbretëreshës Elizabeth, Presidentja e PE: Pak e kanë formësuar historinë botërore si Madhëria e saj

“Pak e kanë formësuar historinë botërore si Madhëria e Saj, Mbretëresha Elizabeth II”, kështu tha presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metzola, në një postim në Twitter pas ndarjes nga jeta të monarkes.

Sipas Metzola, përkushtimi “i palëkundur” i Mbretëreshës ndaj detyrës dhe shërbimit ishte një shembull për të gjithë.

“Ajo me të vërtetë ishte Mbretëresha Elizabeta e Madhe. U prehtë në paqe” shkroi Metsola.

Ora 20:47/ Ndarja nga jeta e Mbretëreshës Elizabeth, Zelensky: Humbje e pariparueshme

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka shprehur ngushëllimet popullit të Britanisë dhe Komonuelthit të Kombeve për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II.

“Me pikëllim të thellë mësuam për vdekjen e Madhërisë së Saj, Mbretëreshës Elizabeth II. Në emër të popullit ukrainas, ne shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për të gjithë Mbretërinë e Bashkuar dhe Commonwealth për këtë humbje të pariparueshme”, shkroi presidenti ukrainas në Twitter.

Ora 20: 44/ Ndarja nga jeta e Mbretëreshës Elizabeth, Stoltenberg: Thellësisht i pikëlluar

“Thellësisht i pikëlluar nga vdekja e Madhërisë së Saj Mbretëreshës Elizabeth II”, kështu shkroi në Twitter Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas ndarjes nga jeta të monarkes.

Sipas Stoltenberg, për më shumë se 70 vjet, Mbretëresha ka qenë shembull i lidershipit dhe shërbimit publik vetëmohues.

“Ngushëllimet e mia më të thella familjes mbretërore, aleatëve tanë të NATO-s, Mbretërisë së Bashkuar dhe Kanadasë, dhe popullit të Komonuelthit”, shkruan Stoltenberg.

Ora 20:40/ Ndarja nga jeta Mbretëreshës Elizabeth, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së mesazh ngushëllimi

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres, ka shprehur ngushëllimet pas ndarjes nga jeta të Mbretëreshës së Anglisë, Elizabeth II.

Njerëzit e admiruan mbretëreshën për hirin, mirësinë dhe përkushtimin e saj. Ka qenë një prani qetësuese gjatë dekadave të ndryshimit siç është dekolonizimi i Afrikës dhe Azisë”, tha Guterres.

l

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme