Ndryshimet në kodin e procedurës penale, eksperti europian vlerëson se janë në përputhje me standardet
Ekspertët europianë e vlerësojnë në përputhje me standardet europiane paketën e re të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale.
Një nga ekspertët, Theo Byl, gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Antwerp dhe ekspert i Këshillit të Europës, vlerëson se ndryshimet vendosin një ekuilibër mes kontrollit gjyqësor, të drejtave të mbrojtjes dhe nevojës për hetime efikase.
“Si praktikues, ne i shohim këto ndryshime si një zgjedhje koherente të autoriteteve europiane, ku mjetet hetimore duhet të jenë proporcionale, objekti i mbikëqyrjes gjyqësore dhe mjetet juridike duhet të jenë të disponueshme”, tha Byl.
Byl veçon si element pozitiv faktin që gjatë hartimit të paketës janë lënë jashtë disa propozime që, sipas tij, mund ta vështirësonin hetimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar të nivelit të lartë. Megjithatë, ai paralajmëron për rrezikun që formalizmi i tepruar të ndikojë në efikasitetin e procedurave.
“Formalizmi ka rrezikun të minojë dhe ta bëjë shumë shpesh më pak efikase procedurën. Një sistem i drejtësisë penale ka nevojë për garanci, por gjithashtu ka nevojë të ruajë aftësinë për të ndjekur penalisht çështjet e nivelit të lartë”, theksoi ai.
Sipas ekspertit, sfida tashmë kalon nga hartimi i ligjit te zbatimi i tij në praktikë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




