Nga transparenca te inteligjenca artificiale, Komisioneri Dervishi drejton Konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit

Aktualitet | 31 minuta më parë

Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, në cilësinë e Presidentit të Konferencës Ndërkombëtare të Komisionerëve të Informimit (ICIC), drejtoi sesionet publike të edicionit të 17-të të konferencës, që zhvillohet më 28–30 shtator 2026 në Freetoën, Sierra Leone.

Në kuadër të presidencës shqiptare të ICIC, Dervishi mbajti fjalët e hapjes dhe të mbylljes së sesioneve publike. Konferenca mblodhi përfaqësues nga rreth 41 vende për të diskutuar mbi të drejtën për informim, transparencën dhe besueshmërinë e informacionit në epokën digjitale.

E organizuar nga autoriteti pritës i Sierra Leones, në bashkëpunim me ICIC dhe UNESCO-n, ajo bashkoi për herë të parë takimin ndërkombëtar të komisionerëve të informimit me konferencën globale për Ditën Ndërkombëtare të Qasjes Universale në Informacion.

Në fjalën e hapjes, Dervishi e lidhi simbolikën e Freetoën-it me të drejtën e qytetarëve për të ditur dhe për të marrë pjesë në vendimmarrje.

“Liria fillon me mundësinë për të ditur. Një qytetar pa qasje në informacion mund të jetë formalisht i lirë, por mbetet praktikisht jashtë vendimmarrjes”, theksoi ai.

Komisioneri nënvizoi se teknologjitë digjitale dhe inteligjenca artificiale zgjerojnë mundësitë për informim, por e bëjnë më të vështirë dallimin e informacionit autentik nga përmbajtja e manipuluar. Ai theksoi se mungesa e informacionit zyrtar krijon hapësirë për spekulime dhe dezinformim.

“Dezinformimi udhëton pa pasaportë dhe me shpejtësi globale. Prandaj, edhe përgjigjja jonë duhet të kapërcejë kufijtë institucionalë dhe kombëtarë”, u shpreh Dervishi, duke kërkuar forcimin e bashkëpunimit mes autoriteteve rregullatore në këtë drejtim.

Zëvendëspresidenti i Republikës së Sierra Leones Shkëlqesia e tij Dr. Mohamed Juldeh Jalloh theksoi se aksesi në informacion është thelbësor për forcimin e demokracisë, mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, transparencën dhe rritjen e besimit te institucionet. Ai nënvizoi nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar dhe për sisteme më të forta të qeverisjes së informacionit, veçanërisht përballë sfidave të epokës digjitale dhe inteligjencës artificiale.

Ministri i Informimit dhe Edukimit Qytetar i Sierra Leones, Chernor Bah, e cilësoi aktivitetin si një “konferencë të lirisë” dhe kërkoi rekomandime praktike për mbrojtjen e së drejtës së qytetarëve për të ditur dhe për të bërë zgjedhje të informuara.

Komisioneri i vendit pritës, Ibrahim Seaga Shaë, theksoi se zgjerimi i qasjes në informacion përmes platformave digjitale duhet të shoqërohet me garantimin e saktësisë dhe besueshmërisë së tij.

Ndihmësdrejtoresha e Përgjithshme e UNESCO-s për Komunikimin dhe Informacionin, Mariya Gabriel, nënvizoi lidhjen mes qasjes në informacion dhe integritetit të tij, si dhe nevojën për ta bërë këtë të drejtë të zbatueshme në praktikë.

Gjatë sesioneve u diskutua për publikimin proaktiv, dhënien në kohë të informacionit zyrtar, qeverisjen e hapur, edukimin mediatik dhe balancën mes transparencës dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Një sesion iu kushtua testimit të zbatimit të së drejtës për informim përmes kërkesave të njëjta drejtuar autoriteteve publike në 120 vende. Programi trajtoi edhe aksesin e barabartë për gratë, të rinjtë dhe personat me aftësi të kufizuara, si dhe përdorimin e informacionit për çështjet mjedisore dhe reagimin ndaj krizave.

Në panelin “Nga transparenca te publikimi proaktiv: drejt një standardi të ri ndërkombëtar”, mori pjesë znj. Emerlinda Pema, drejtore e Drejtorisë së Monitorimit të Programeve të Transparencës pranë Zyrës së Komisionerit. Znj. Pema theksoi se publikimi proaktiv kërkon ndryshim të kulturës institucionale, pasi autoritetet publike duhet të parashikojnë nevojat për informacion dhe ta publikojnë atë pa pritur kërkesa nga qytetarët, gazetarët apo shoqëria civile.

Në mbyllje të sesioneve publike, Komisioneri Dervishi theksoi se informacioni duhet të jetë i saktë, i kuptueshëm dhe të jepet në kohën kur qytetarëve u nevojitet.

“Shpejtësia pa saktësi krijon konfuzion, ndërsa saktësia pa dhënien në kohë humbet vlerën e saj publike”, u shpreh ai.

Duke vlerësuar miratimin e Deklaratës së Përbashkët të Freetoën-it, Presidenti i ICIC kërkoi që angazhimet e saj të zbatohen përmes veprimeve konkrete, forcimit të standardeve dhe bashkëpunimit ndërkombëtar, për t’u garantuar qytetarëve informacion të aksesueshëm dhe të besueshëm.

Programi përfshiu edhe ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit për rinovimin e bashkëpunimit ICIC–UNESCO. Z. Dervishi vlerësoi rëndësinë e këtij partneriteti, i cili bashkon ekspertizën globale të UNESCO-s me përvojën e autoriteteve që garantojnë zbatimin e së drejtës për informim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme