Nis korrja e misrit në Lunxhëri, fermeri Vangjel Kondi: Prodhimi i këtij viti është i mbarë
Fermerët në zonën e Lunxhërisë kanë nisur këto ditë procesin e korrjes së misrit. Në parcelat e mbjella, makineritë bujqësore dhe duart e punëtorëve janë në lëvizje të vazhdueshme për të mbledhur prodhimin e këtij sezoni. Për shkak të kushteve klimatike, korrja e misrit këtë vit ka ardhur pak më vonë se zakonisht. Megjithatë, fermerët shprehen se kjo vonesë nuk ka ndikuar në cilësinë dhe sasinë e prodhimit.
“Sot është dita e parë, në fillim duhet të masim lagështirën e më pas të vendosim nëse do korrim ose jo. Në Lunxheri nuk ka shumë, vetëm unë kam rreth 20 ha sipërfaqe misri. Shirat dhe klima këto ditë na vë në pikëpyetje mbi korrjen. Prodhimi duket mirë, është i mbarë”, deklaroi fermeri Vangjel Kondi.
Menjëherë pas përfundimit të korrjes dhe tregtimit të misrit, fermerët e Lunxhërisë do të nisin punimet për përgatitjen e tokës dhe plugimet, për të qenë gati për sezonin e ardhshëm bujqësor.
“Nisim sërish me plugimet në dhjetor dhe në shkurt punojmë përsëri dhe në mars, prill nisim me mbjelljen”, shtoi Kondi.
Edhe pse bujqësia në Lunxhëri përballet çdo vit me sfida të ndryshme, fermerët mbeten të palodhur dhe të vendosur për të vazhduar punën në tokë. Për ta, çdo sezon është një mundësi e re për të ruajtur traditën dhe për të siguruar jetesën përmes prodhimit vendas.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





