Orientimi i turistëve në Gjirokastër, shoqata e hotelierëve kërkon zgjidhje për adresat
Gjirokastra, me rrugicat karakteristike dhe peizazhin e saj unik, çdo vit mirëpret mijëra turistë.
Por jo gjithmonë eksperienca e vizitorëve është e lehtë. Shpesh aplikacionet e navigimit i çojnë në rrugë të gabuara, duke i bërë që të humbasin në labirintin e gurtë të qytetit.
“Përditë me dhjetëra e dhjetëra turistë e ngatërrojnë rrugën, sikletosen. Duhet të kuptojmë që ata vijnë nga një rrugë e gjatë, janë të lodhur. Mund të kenë pasur edhe peripecitë e tyre dhe mendojnë që po vijnë në hotel, në vendin e rezervimit, kur ngatërrohen dhe mund të kalojnë 30–40 minuta për të gjetur hotelin. Kjo është shumë shqetësuese për ta,” tregon Gentian Bineri, kryetar i Shoqatës së Hotelierëve në Gjirokastër.
Shoqata kërkon zgjidhje konkrete për orientimin e turistëve. Sipas z. Bineri, problematika lidhet me gabime në platformat online dhe mungesë koordinimi për përditësimin e adresave. Kjo, sipas tij, ndikon negativisht në përvojën e vizitorëve dhe imazhin e qytetit.
“Paralelisht është punuar me atë që kemi pasur mundësi, me sinjalistikën, së bashku me policinë dhe Bashkinë. Janë vendosur pothuajse një pjesë dërrmuese e tabelave, të cilat i orientojnë deri diku turistët,” shton z. Bineri.
Zgjidhja e kësaj situate, sipas Shoqatës së Hotelierëve, kërkon bashkëpunim mes institucioneve përkatëse, në mënyrë që turistët të shijojnë të plotë Gjirokastrën, pa pasur pengesë orientimin.
Deri atëherë, rrugicat me gurë do të mbeten jo vetëm atraksion, por edhe sfidë për vizitorët.
Gazetare: Enkeleda Domeri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





