Papa Leoni i XIV kundër dënimit me vdekje: Ofendon dinjitetin e jetës njerëzore

Botë | 1 orë më parë

Papa Leoni XIV shprehu kundërshtimin e tij kategorik ndaj dënimit me vdekje , duke theksuar se mbrojtja e shoqërisë dhe administrimi i drejtësisë mund të sigurohen pa marrë jetën e njeriut.

Në një deklaratë të publikuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Dënimit me Vdekje, Papa theksoi se rendi publik dhe drejtësia mund të garantohen pa iu drejtuar ekzekutimeve.

“Dënimi me vdekje është i papranueshëm sepse ofendon dinjitetin dhe paprekshmërinë e jetës njerëzore”, shkroi Papa, duke shtuar se ekzistojnë sisteme efektive paraburgimi që mund të mbrojnë qytetarët, pa ua mohuar plotësisht personave të dënuar mundësinë e rehabilitimit.

Deklarata e kreut të Kishës Katolike vjen në një kohë kur në Shtetet e Bashkuara janë shtuar reagimet ndaj planeve për transmetimin drejtpërdrejt të një ekzekutimi me pushkatim.

Sipas raportimit, Nidal Hassan, ish-major i Ushtrisë Amerikane, i dënuar me vdekje për të shtënat masive të vitit 2009 në Fort Hood, Teksas, pritet të ekzekutohet më 3 dhjetor.

Planet për transmetimin e ekzekutimit kanë nxitur reagime nga përfaqësues të Kombeve të Bashkuara dhe politikanë amerikanë, si demokratë, ashtu edhe republikanë.

Në qëndrimin e tij, Papa nënvizon se mbrojtja e qytetarëve dhe ruajtja e drejtësisë nuk kërkojnë domosdoshmërisht heqjen e jetës së personave të dënuar.

Ai vë në dukje rëndësinë e sistemeve të paraburgimit që garantojnë sigurinë publike, duke ruajtur njëkohësisht mundësinë e pendimit dhe rehabilitimit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme