Përmbytjet i marrin jetën 1,061 njerëzve në Pakistan

Të paktën 1,061 njerëz kanë humbur jetën nga përmbytjet shkatërruese të Pakistanit për shkak të shirave të musonit që filluan në qershor, sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Fatkeqësive (NDMA).
Në të njëjtën kohë, autoritetet po përpiqen të arrijnë në fshatra të izoluar në zonat malore në veri të vendit aziatik. Ndërkohë, Pakistani kërkon më shumë ndihmë nga komuniteti ndërkombëtar për t’u marrë me pasojat e përmbytjeve shkatërruese në brendësi të tij.
Tashmë SHBA, Emiratet e Bashkuara Arabe, Britania dhe vende të tjera kanë ndihmuar pas kaosit të shkaktuar nga musonet, por duket se kjo ndihmë nuk mjafton.
Më shumë se 800,000 hektarë tokë të punueshme u shkatërruan, si dhe më shumë se 3,400 kilometra të rrjetit rrugor të vendit, ndërsa 149 ura u shkatërruan.
Musonët, të cilët zakonisht zgjasin nga qershori deri në shtator, janë të rëndësishëm për ujitjen e të korrave dhe rimbushjen e burimeve ujore në nënkontinentin Indian. Por çdo vit ato shkaktojnë edhe fatkeqësi dhe tragjedi. Ekspertët vlerësojnë se përmbytjet e këtij viti janë të krahasueshme me ato të vitit 2010, kur 2000 njerëz vdiqën dhe një e pesta e vendit u zhyt nën ujë.
Zyrtarët pakistanezë ia atribuojnë këto përmbytje shkatërruese ndryshimeve klimatike , duke deklaruar se vendi i tyre po vuan padrejtësisht pasojat e praktikave të papërgjegjshme mjedisore në pjesë të tjera të botës. Qeveria të premten shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në rajon dhe mobilizoi ushtrinë për t’u marrë me atë që ministri i Ndryshimeve Klimatike Sherry Rehman e quajti një “katastrofë të përmasave të rralla”./ CNN.gr
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




