Përroi i Oblikës mbetet problematik, projekti u la në mes, banorët kërkojnë rehabilitimin e tij

Aktualitet | 48 minuta më parë

Pas përfundimit të muajve të verës, banorët e Oblikës i rikthehen shqetësimeve për situatën e përroit që përshkon zonën.

Katër vite më parë, në njësinë administrative të Anës së Malit nisi një projekt që synonte rehabilitimin e përroit dhe sistemimin e gjithë sheshit përreth.

Ndërkohë, sot katër vite më vonë  banorët e zonës, në prag të sezonit të reshjeve, kërkojnë një ndërhyrje më emergjente nga pushteti vendor, me qëllim pastrimin dhe sistemimin e përroit, i cili çdo vit rrezikon përmbytjen e tokave. Ata thonë se prej kohësh shtrati i përroit ka nevojë për pastrim dhe rehabilitim, ndërsa afrimi i sezonit të reshjeve e shton shqetësimin për pasojat që mund të sjellë rritja e prurjeve.

“Ka nevojë shumë mirë me pastruar, edhe me pastruar shumë mirë. Ka mbetur përgjysmë, herë nis, herë ndalet.”

“Janë ato mbeturina për faqe të zezë. Ky përrua sa kohë do shkojë, do mbushet se s’e pastron kush, edhe pastaj do hapet e do përmbyten të gjitha këto pallatet këtu.”

“Problem është kjo punë, se kërcen edhe nëpër fushë. Reshje të mëdha edhe kur s’ka pasur Drini, si me thënë, nuk ka sjellë, por ky përrua ka dalë në sipërfaqe më të vogël.”

Disa herë ky përrua ka qenë shkak i përmbytjeve në zonë.

Me afrimin e dimrit, banorët kërkojnë që ndërhyrja të mos shtyhet deri në momentin kur reshjet të krijojnë problematika, por të merren masa paraprake për të garantuar rrjedhën e ujit dhe për të ulur rrezikun e përmbytjeve.

M Gjoni

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme