Plagosja e avokatit Shllaku/ Dhoma e Avokatisë Durrës pezullon seancat për 2 orë: Të bëhet hetim i plotë, kërkojmë siguri për avokatët

Aktualitet | 33 minuta më parë

Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës vendosi bojkot me 2 orë të seancave gjyqësore, në shenjë proteste pas plagosjes me armë të avokatit Elton Shllaku. Sipas vendimit të firmosur më 17 shtator, avokatët pezulluan pjesëmarrjen në seanca nga ora 08:00 deri në 10:00, duke kërkuar rritjen e masave të sigurisë gjatë ushtrimit të profesionit.

Vendimi i Dhomës Vendore të Avokatisë Durrës i është përcjellë edhe Prokurorisë dhe Policisë së Durrësit. Prokurorisë i kërkohet një hetim i shpejtë dhe i plotë për zbardhjen e rrethanave të plagosjes dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore. Ndërkohë, nga Policia e Durrësit kërkohet informacion mbi ecurinë e hetimeve dhe masat e ndërmarra për dokumentimin e ngjarjes. Siguria e avokatëve pritet të jetë në fokus edhe të mbledhjes së ardhshme të Këshillit të Përgjithshëm të Dhomës së Avokatisë, ndërsa avokatët kërkojnë masa konkrete për krijimin e një mjedisi më të sigurt gjatë ushtrimit të profesionit.

Elton Shllaku u plagos me armë dy ditë më parë në një lokal në shëtitoren “Taulantia”, në lagjen nr. 1 të Durrësit. Sipas policisë, dy persona janë konfliktuar në ambientet e lokalit dhe gjatë debatit njëri prej tyre ka nxjerrë një pistoletë dhe ka qëlluar me armë zjarri, duke plagosur avokatin. Shllaku, rreth 50 vjeç, u transportua me ambulancë drejt Spitalit Rajonal të Durrësit, ku mori ndihmë mjekësore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme