Plotësohen mbi 50% e kuotave te Shkencat e Natyrës, rritet interesi për programet e riorganizuara

Arsim | 1 vit më parë

Interesi për programet që ofron Fakulteti i Shkencave të Natyrës është rritur këtë vit edhe si pasojë e riorganizimit të një pjese të tyre.

Dekania e këtij fakulteti, Eglantina Kalluçi, sqaron se në total janë ezauruar mbi 50% e kuotave.

“Kemi dy grupime që janë shumë të kërkuara, Shkencat dhe Teknologjia e Informacionit. Kemi edhe programet ndërdisiplinare në Shkencat e Natyrës,” thotë znj. Kalluçi.

Për shkak të riorganizimit të programeve të Fizikës dhe Kimisë, në Fizikë Kompjuterike dhe Kimi Farmaceutike konfirmohet edhe një rritje e kërkesave nga të rinjtë në këto degë.

“Programet nuk mund të ndryshohen apo të reformohen brenda një viti. Këtë gjë e kemi filluar që vitin e shkuar. Këtë vit riorganizuam tri programe studimi Bachelor. Fokusi ishte përshtatja e programeve të studimit me tregun e punës. Ajo që është shumë e rëndësishme, ndërkombëtarëzimi, është arsyeja pse i kemi mundësuar këto programe edhe në gjuhën angleze,” shpjegon dekania e Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Interes të lartë kanë pasur edhe tri programet e riorganizuara për këtë vit: Data Science (Shkenca e të Dhënave), Inxhinieri Informatike, Inxhinieri Kimike dhe Shkencat Natyrore Mjedisore, ku studentët përfitojnë dy diploma.

“Kemi pasur një rritje dukshëm mbi 70 për qind më shumë aplikime në të tria këto programe studimi. Ajo që kemi vënë re është se edhe regjistrimet vijuan po me të njëjtin ritëm,” shton znj. Kalluçi.

Drejtori i Rrjetit Akademik Shqiptar, Arjan Xhelaj, sqaron se të rinjtë këtë vit e kanë drejtuar kërkesën e tyre pikërisht nga programet e riorganizuara, ku ka më shumë mundësi punësimi.

“Patëm mbi 60 programe të riorganizuara dhe 35 programe të reja, por të gjitha këto ‘long-term’ [përk. afatgjatë] do të kërkonin një reflektim nga universitetet, duke parë edhe tendencat e maturantëve dhe tregut të punës, që edhe ata ta reflektojnë këtë në kurrikula, duke e mirëgrupuar ofertën akademike,” shprehet z. Xhelaj.

Raundi i dytë dhe i tretë i regjistrimeve do të përmbushin kryesisht pjesën e mbetur të kuotave, duke dhënë një panoramë të qartë të të gjitha programeve të studimit — ato ekzistuese, por edhe ato të riorganizuara.

Gazetare: Keti Toroveci

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme