Policia Rrugore e Beratit intensifikon kontrollet, dhjetëra masa administrative dhe procedime penale gjatë javës së fundit

Policia Rrugore e Beratit ka zhvilluar një monitorim intensiv përgjatë javës së fundit në të gjitha akset e qarkut, duke përdorur mjete logjistike të avancuara si dronë, radarë dhe makina inteligjente. Qëllimi kryesor i këtij operacioni ka qenë parandalimi i ngjarjeve rrugore me pasoja dhe menaxhimi i trafikut.
Në fokus të posaçëm të strukturave policore ka qenë konstatimi i rasteve të drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit ose në gjendje të dehur, shkelje këto që përbëjnë një nga burimet kryesore të aksidenteve rrugore të rënda.
Procedimet penale për shkeljet e sigurisë rrugore
Si rezultat i kontrolleve të shtuara gjatë javës së fundit, janë proceduar penalisht 3 shtetas për shkelje të ndryshme penale në qarkullim, 1 shtetas është arrestuar në flagrancë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit; 2 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Bilanci i masave administrative dhe shkeljet kryesore
Përveç procedimeve penale, gjatë kësaj periudhe janë ndëshkuar administrativisht qindra drejtues mjetesh për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Numri i masave administrative të ndërmarra përfshin 130 drejtues automjetesh për ndalim ose pushim të automjetit në kundërshtim me sinjalistikën rrugore; 120 drejtues mjetesh për shkelje të tjera të Kodit Rrugor; 102 drejtues mjetesh për parakalime të gabuara; 93 drejtues automjetesh për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 70 drejtues mjetesh për qarkullim me shpejtësi mbi normat e lejuara; 30 drejtues motomjetesh për mosvendosje të kaskës mbrojtëse; 2 drejtues mjetesh për drejtim të mjetit në efektin e alkoolit.
Apeli i Policisë Rrugore për drejtuesit e mjeteve
Kontrollet policore vijojnë të jenë të pranishme dhe të pandërprera në të gjitha akset rrugore të qarkut të Beratit. Përballë këtyre shifrave, Policia Rrugore përsërit thirrjen e saj drejt të gjithë drejtuesve të mjeteve:
“Policia Rrugore e Beratit apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve, që të zbatojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe të kontribuojnë në këtë mënyrë në parandalimin e aksidenteve në veçanti dhe në sigurinë rrugore në tërësi.”
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




