Prapaskenat e udhëtimit 20 orësh të Biden në Kiev, si u lajmëruan rusët, roli shërbimeve sekrete, kodi që u përdor për misionin

Botë | 4 vite më parë

Autokolona e Presidentit, Joe Biden, doli nga Shtëpia e Bardhë rreth orës 3:30 të mëngjesit të së dielës. Nuk pati asnjë Air Force One për këtë udhëtim. Presidenti u zhduk në errësirë ​​me një C-32 të Forcave Ajrore, një Boeing 757 i modifikuar, që zakonisht përdoret për udhëtime të brendshme në aeroporte më të vogla. 20 orë më vonë Biden ishte në qendër të Kievit, Ukrainë.

Vizita befasuese e Biden në Ukrainë të hënën ishte hera e parë në historinë moderne që një lider amerikan vizitoi një zonë lufte jashtë mbrojtjes së ushtrisë amerikane. Shtëpia e Bardhë tha se ky udhëtim kishte njëfarë rreziku edhe pse Moskës i ishte dhënë informacioni për këtë vizitë.

Gjatë pesë orëve të ardhshme, presidenti bëri ndalesa të shumta nëpër qytet, i transportuar me një SUV të zi dhe jo me limuzinën presidenciale. Nuk pati asnjë njoftim për publikun ukrainas se ai ishte atje. 

Por i gjithë aktiviteti tërhoqi mjaft vëmendje, saqë fjala për praninë e Biden doli shumë përpara se të kthehej në Poloni. Ndihmësit në Shtëpinë e Bardhë u befasuan që  sekreti u mbajt për aq kohë sa Biden ishte në Kiev. Por Rusia e dinte atë që publiku ukrainas nuk e dinte. Zyrtarët amerikanë kishin njoftuar Moskën për udhëtimin e Biden.

Një grup i vogël zyrtarësh të lartë në Shtëpinë e Bardhë dhe në të gjithë agjencitë e sigurisë kombëtare të SHBA-së, u përpoqën të punonin në fshehtësi për muaj të tërë për ta realizuar këtë vizitë, tha të hënën këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan. 

Sullivan tha se udhëtimi “kërkoi një përpjekje sigurie, operacionale dhe logjistike nga më profesionalet në të gjithë qeverinë amerikane, për të bërë atë që ishte një ndërmarrje, në thelb e rrezikshme, si dhe për ta bërë atë një rrezik të menaxhueshëm”.

Pasi Biden u fsheh në bordin e avionit të Forcave Ajrore, shenja e thirrjes “SAM060”, për Misionin Special Ajror, u përdor për aeroplanin në vend të “Air Force One” të zakonshëm. 

Ai u ngrit nga baza e përbashkët Andreës në orën 4:15 të mëngjesit me kohën Lindore.

Pas një ndalese për karburant në Gjermani, avioni i Biden fiku transponderin e tij të fluturimit afërsisht për një orë në Rzeszoë, Poloni, aeroporti që ka shërbyer si portë për miliarda dollarë në armë perëndimorë dhe vizitorë VIP në Ukrainë.

Ai mbërriti në Kiev në orën 8 të mëngjesit të së hënës dhe u përshëndet nga ambasadorja Bridget Brink. Ai më pas hyri në autokolonën e tij për udhëtimin drejt Pallatit Mariinsky. 

Ndërkohë, në Kiev, shumë rrugë kryesore dhe blloqe qendrore u rrethuan pa asnjë shpjegim. Njerëzit filluan të shpërndanin video të autokolonave të gjata të makinave që lëviznin me shpejtësi përgjatë rrugëve, ku qasja ishte e kufizuar.

Biden udhëtoi me një grup shumë më të vogël se zakonisht: Sullivan, zëvendës shefe e stafit Jen O’Malley Dillon dhe drejtoren e operacioneve të Zyrës Ovale, Annie Tomasini. 

Atyre iu bashkua stafi i Shërbimit Sekret të tij, ndihmësi ushtarak që mbante të ashtuquajturin “valixhe bërthamore”, një ekip i vogël mjekësor dhe fotografi zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Vetëm dy gazetarë ishin në bord. Pajisjet e tyre elektronike u fikën dhe iu dorëzuan Shtëpisë së Bardhë gjatë gjithë kohëzgjatjes së udhëtimit në Ukrainë. 

Një numër i vogël gazetarësh me bazë në Ukrainë u thirrën në një hotel në qendër të qytetit të hënën në mëngjes për t’u bashkuar me ta, pa u informuar se Biden po e vizitonte Kievin, deri pak para mbërritjes së tij.

Edhe me sistemet perëndimore të raketave tokë-ajër që forconin mbrojtjen e Ukrainës, ishte e rrallë që një udhëheqës amerikan të udhëtonte në një zonë konflikti ku SHBA ose aleatët e saj nuk kishin kontroll mbi hapësirën ajrore.

Ushtria amerikane nuk ka një prani në Ukrainë përveç një detashmenti të vogël marinsash që ruajnë ambasadën në Kiev, duke e bërë vizitën e Bidenit më të komplikuar sesa vizitat e liderëve të mëparshëm amerikanë në zonat e luftës.

“Ne i njoftuam rusët se presidenti Biden do të udhëtojë për në Kiev,” u tha Sullivan gazetarëve. 

“Ne e bëmë këtë disa orë para nisjes së tij për qëllime dekonflikti.” 

Ai nuk pranoi të specifikonte mesazhin e saktë ose kujt i ishte dorëzuar mesazhi, por tha se qëllimi ishte për të shmangur çdo llogaritje të gabuar që mund t’i sjellë dy vendet e armatosura bërthamore në konflikt të drejtpërdrejtë.

Ndërsa Biden ishte në Kiev, aeroplanët e mbikëqyrjes amerikane, duke përfshirë radarin ajror E-3 Sentry dhe një avion elektronik RC-135Ë Rivet Joint, po ruanin Kievin nga hapësira ajrore polake. Apnews

/rtsh.al/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme