Presidenti Biden ju drejtohet amerikanëve: “Depozitat tuaja do të jenë aty kur t’u nevojiten!”

Botë | 4 vite më parë

Presidenti Joe Biden tha të hënën se sistemi financiar amerikan është i sigurt, në një përpjekje për të injektuar besim, pas falimentimit të beftë të dy bankave. Ky zhvillim nxiti frikë për pasoja më të mëdha.

“Presidenti Obama dhe unë vendosëm kërkesa të ashpra ndaj bankave për t’u siguruar që kriza e vitit 2008 nuk do të përsëritej. Administrata e fundit ktheu shumë prej tyre” tha zoti Biden sipas një statusi në Twitter.
 
“Amerikanët duhet të kenë besim se sistemi ynë bankar është i sigurt dhe ne po marrim masa për ta bërë atë më të fortë”.

“Depozitat tuaja do të jenë aty kur t’u nevojiten”, tha presidenti.

Të premten entet rregullatore amerikane mbyllën bankën “Silicon Valley”, ndërsa ajo u përball me mungesë të parash, ndërsa klientët nxituan të tërheqin depozitat e tyre, për shkak të shqetësimeve lidhur me aftësitë paguese të bankës.

Ky është falimentimi i dytë më i madh në historinë e vendit, pas asaj që ndodhi me bankën Washington Mutual në vitin 2008, e cila gjithashtu nuk arriti të përmbushë detyrimet financiare. Pas bankës Silicon Valley, edhe një bankë e dytë, banka Signature, me bazë në Nju Jork gjithashtu falimentoi.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, Presidenti Biden tha se do të kërkonte që përgjegjësit të japin llogari, ndërsa ushtroi trysni për mbikëqyrje e praktika më të mira që rregullojnë veprimtarinë e bankave më të mëdha. Presidenti premtoi se asnjë humbje nuk do të përballohej nga taksapaguesit.

“Amerikanët mund të kenë besim se sistemi bankar është i sigurt”.

Zoti Biden njoftoi gjithashtu shkarkimin e drejtuesve të bankave që falimentuan. “Nëse banka do të administrohen nga Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave, ata që drejtojnë bankat nuk duhet të punojnë më atje”, tha ai. Korporata Federale e Sigurimit të Depozitave, është agjencia përgjegjëse federale për sigurimin e stabilitetit të sistemit bankar.

Me një vlerë kapitali prej 110 miliardë dollarësh, falimentimi i bankës Signature përbën rastin e tretë më të madh në historinë e SHBA-ve. Një tjetër bankë në vështirësi, First Republic, njoftoi të dielën se kishte forcuar situatën e saj financiare, falë financimit të siguruar nga Banka Qendrore dhe JPMorgan Chase.

 

/ rtsh. al /

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme