Prokurorët kundër ndryshimeve në Kodin Penal/Shoqata kundërshton kufizimin e kompetencave në hetime dhe masat e sigurisë

Aktualitet | 44 minuta më parë

Një ditë pas prezantimit të draftit me 105 ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, vjen reagimi i parë nga Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë.

Prokurorët thonë se mbështesin në parim përmirësimin e sistemit të drejtësisë penale dhe forcimin e të drejtave të personave nën hetim, por shprehin shqetësim për mënyrën se si janë konceptuar disa prej ndryshimeve.

Në fokus është kufizimi i kompetencave të prokurorit gjatë hetimeve paraprake. Sipas Shoqatës, barrierat e reja procedurale për sekuestrimet, kontrollet, përgjimet dhe mjetet e tjera të kërkimit të provave mund të fragmentojnë hetimet dhe të ngadalësojnë zbulimin e veprave penale, veçanërisht në dosjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Prokurorët kundërshtojnë veçanërisht detyrimin që sekuestrimi të kalojë paraprakisht përmes gjykatës, duke argumentuar se kjo mund të ndikojë në dinamikën e hetimit.

Një tjetër pikë e kundërshtuar është vënia në dispozicion, që në fazat e hershme, e të gjitha provave për personin nën hetim apo të pandehurin. Sipas Shoqatës, aksesi i hershëm dhe i plotë mund të cenojë sekretin hetimor dhe hetimet proaktive, sidomos në çështjet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kundërshtime ka edhe për masat e sigurimit personal. Prokurorët vlerësojnë se kufizimet e propozuara mund të vështirësojnë parandalimin e arratisjes, prishjes së provave apo përsëritjes së veprave penale.

Shoqata kundërshton gjithashtu kufizimin e thellimit dhe zgjerimit të hetimeve përtej objektit fillestar. Sipas saj, kur gjatë hetimit dalin në pah vepra të tjera të lidhura, ato duhet të mund të hetohen pa krijuar copëzim të procedimeve.

Në reagim ngrihet shqetësim edhe për sanksionet mbi papërdorshmërinë e provave dhe pavlefshmërinë e akteve. Prokurorët kërkojnë që këto pasoja të mos zbatohen automatikisht për çdo shkelje formale, por të vlerësohen sipas rëndësisë së shkeljes dhe ndikimit të saj në proces.

Në përfundim, Shoqata kërkon një analizë të plotë të problemeve në praktikë, publikimin e studimeve mbi të cilat është hartuar drafti dhe konsultim real me prokurorët, gjyqtarët, avokatët, akademinë dhe shoqërinë civile.

Sipas prokurorëve, ndryshimet duhet të ruajnë njëkohësisht të drejtat e individit, sigurinë juridike dhe efektivitetin e hetimeve.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme