Protesta/ Berisha thirrje Ramës: Nëse s’vjen në sallën e gjyqit, hajde në debat televiziv. Shqipëria shpëtohet nga bashkimi i të gjitha partive opozitare

Politikë | 6 muaj më parë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, iu drejtua protestuesve të mbledhur përpara Kryeministrisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, në tubimin e thirrur nga opozita.

Në fjalën e tij, Berisha deklaroi se opozita nuk përfaqëson më vetëm një forcë politike, por sipas tij një “alternativë të shkëlqyer politike” dhe “shpresën e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i Edi Ramës”.

“Sot nuk jemi thjesht si opozitë, por si një alternativë e shkëlqyer politike. Sot mblidhemi këtu në këtë protestë madhështore si shpresë e vetme për shpëtimin e Shqipërisë nga narkoshteti i Ramës. Miqtë e Shqipërisë në botë kërkojnë që ky vend të dalë nga kjo lëngatë e keqe. Kryengritja jonë paqësore, në të kaluarën, dhjetëra mijëra qytetarë u përballën në rrugët e Tiranës si të pamposhtur, dhëmbë për dhëmbë me regjimin, me gaz lotsjellës dhe plumba gome, por triumfuan. Ne jemi shpresa e vetme për Shqipërinë”, tha Berisha.

Duke iu referuar vendimit të GJKKO për pranimin e kërkesës së avokatëve mbrojtës për thirrjen e Kryeministrit Edi Rama si dëshmitar në çështjen “Partizani”, Berisha i bëri thirrje kreut të qeverisë që, nëse nuk paraqitet në sallën e gjyqit, të pranojë një përballje publike në një studio televizive.

“I them Edi Ramës, nëse nuk ta mban të vish në sallën e gjyqit, të ftoj të vish në debat në studion televizive që do të zgjedhësh ti dhe të paraqesë me fakte e prova akuzat ndaj krimit”, u shpreh Berisha.

Berisha bëri thirrje që të gjitha partitë opozitare të bashkohen për të rrëzuar qeverinë.

“Shqipëria nuk shpëtohet nga një njeri i vetëm, as nga një forcë e vetme politike, nuk shpëtohet as nga miqtë tanë ndërkombëtarë. Shqipëria shpëtohet nga bashkimi i të gjitha partive opozitare, shoqërisë civile dhe të gjithë faktorëve që besojnë se vota e lirë është vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë”, u shpreh Berisha.

Berisha u ndal edhe te çmimi i karburanteve, duke deklaruar se Shqipëria ka “çmimet më të larta të naftës në rajon dhe rroga e pensione më të ulëta”.

“Rritja e çmimit të naftës duhej të dilte në protestë, pasi të gjithë janë prekur nga kjo, por nuk pati pjesëmarrje në protestën e thirrur nga shoqëria civile. Në Shqipëri ka çmimet më të larta të naftës në rajon dhe botë dhe rrogat dhe pensionet më të ulëta në rajon. Njerëzit nga frika nuk dolën në protestën për çmimin e naftës për të mbrojtur interesat e tyre dhe nga presioni që kjo qeveri bën me kafshatën e gojës dhe vendin e punës. Ka vetëm një forcë që i qëndron kundër narkoshtetit dhe mbron interesat e qytetarëve dhe liritë e tyre, dhe kjo është PD”, tha ai.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme