Pse nuk ka fjalë “ju lutem” në gjuhët nordike?

Lifestyle | 7 minuta më parë

Për shumë udhëtarë që vizitojnë vendet nordike si Danimarka, Suedia, Norvegjia, Islanda apo Finlanda, përpjekja për të përkthyer fjalën bazë të mirësjelljes “ju lutem” ose “të lutem” përballet me një pengesë linguistike: në këto gjuhë nuk ekziston një fjalë e vetme gjithëpërfshirëse me këtë funksion.

Gjuhëtarët dhe ekspertët e kulturës nënvizojnë se kjo nuk lidhet me mungesën e edukatës, por me strukturën e veçantë shoqërore, stilit të drejtpërdrejtë të komunikimit dhe kulturës egalitare në këto vende.

“Efikasiteti vlerësohet këtu dhe komunikimi është përgjithësisht i drejtpërdrejtë.”, thotë  Daniela Hummelgren, mësuese e gjuhës daneze.

Sipas Dr. James Puchowski nga Muzeu Norvegjez i Kulturës së Shkruar, kërkimi i një përkthimi tekstual është pikënisje e gabuar. Në vendet nordike, mirësjellja nuk bazohet te hierarkia apo te fjalët respektuese me bazë klasore, por te toni i zërit, konteksti dhe formulimi i kërkesës.

Mungesa e termave formale si Herr apo Frue (Zotëri/Zonjë) lidhet ngushtë me egalitarizmin skandinav dhe konceptin kulturor të njohur si Ligji i Jante-s (Janteloven) — ideja se askush nuk duhet ta konsiderojë veten më të rëndësishëm apo më të veçantë se të tjerët. Për këtë arsye, komunikimi eliminon teprimet formale për t’i dhënë përparësi barazisë dhe efikasitetit.

“Gjuha është më shumë sesa fjalë. Ka të bëjë edhe me mënyrën se si e paraqisni një ide.”, thekson Dr. James Puchowski, gjuhëtar.

Si mund të porosisni me mirësjellje në Skandinavi?

Për të zëvendësuar funksionin e fjalës “ju lutem”, folësit nordikë përdorin struktura alternative.

Në Danimarkë përdoren struktura pyetëse si må jeg bede om (“a mund të kërkoj…”).

Në Suedi, Norvegji e Islandë, kërkesës i shtohet në fund fjala “faleminderit” — tack (suedisht), tak (danisht) ose takk (norvegjisht/islandisht). Në Finlandisht përdoret fjala kiitos.

Një ngritje e lehtë e zërit në fund të fjalisë, një kontakt pamor dhe një buzëqeshje luajnë rolin kryesor për të shprehur respekt.

Ekspertët këshillojnë vizitorët se në rajonin nordik, kërkimi i mirësjelljes së ekzagjeruar mund të perceptohet deri diku si jo e natyrshme apo ngadalësuese për proceset e përditshme. Për këtë arsye, përdorimi i një “faleminderit” të thjeshtë në fund të porosisë përmbush plotësisht të gjitha normat e mikpritjes dhe etikës vendase.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme