Rama reagon pas aksionit në Vlorë: Lungomarja, model i ri i dizajnit të jashtëm të shërbimeve

Pas aksionit në Vlorë për lirimin e hapësirave publike, Kryeministri Edi Rama ka reaguar, duke theksuar rëndësinë e trotuareve si hapësira publike dhe duke paralajmëruar pronarët e bizneseve të heqin vetë “barrikadat” e vendosura.
Rama shprehet se problemi nuk qëndron tek prania e karrigeve në një pjesë të trotuarit, siç është praktikë në qytete të mëdha si Parisi, Londra apo Nju Jorku, por thelbi është se trotuari “është i njerëzve dhe kurrsesi i barrikadave”.
Sipas Kryeministrit, Lungomarja e Vlorës, e cila tashmë është një model i vijës ujore të një qyteti turistik bregdetar, duhet dhe do të bëhet njëkohësisht model i dizajnit të jashtëm të një vije shërbimesh.
“Koha për të çliruar trotuaret nga barrikadat dhe për ta ngritur edhe shërbimin edhe dukjen në një nivel të ri, të denjë për Shqipërinë Turistike,” deklaroi Rama. Ai i bëri thirrje pronarëve dhe menaxherëve të bizneseve në vijën e shërbimeve të Lungomares që të heqin vetë të gjitha barrikadat dhe të bashkëpunojnë me Bashkinë e Vlorës dhe Agjencinë e Zhvillimit të Territorit për dizajnin e ri. Kryeministri theksoi se qeveria do ta mbështesë këtë proces.
“Asnjë problem me karriget dhe shërbimin në një pjesë të trotuarit, si në Paris, Londër apo New York, por pa harruar që trotuari është i njerëzve dhe kurrësesi i barrikadave, si në Lungomare! Koha për të çliruar trotuaret nga barrikadat dhe për ta ngritur edhe shërbimin edhe dukjen në një nivel të ri, të denjë për Shqipërinë Turistike. Lungomarja është modeli i vijës ujore të një qyteti turistik bregdetar, tani duhet dhe do të jetë model i dizajnit të jashtëm të një vije shërbimesh. Prandaj pronarët e menaxherët e vijës së shërbimeve, duhet të heqin vetë tërë barrikadat dhe të bashkëpunojnë me bashkinë e Vlorës e me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit për dizajnin e ri, për të cilin do t’i mbështesim me kënaqësi”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Kjo deklaratë vjen pas operacionit “Plazhi i Lirë” në Vlorë, i cili synon lirimin e hapësirave publike dhe garantimin e aksesit të lirë për pushuesit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





