Rama takim me furnitorët: Transparencë më të madhe për çmimet e produkteve. Nuk do lejojmë të ngarkohet qytetari
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorëve kryesorë në vend, në kuadër të nismës për rritjen e transparencës mbi çmimet e produkteve.
Gjatë fjalës së tij, Rama u ndal te përpjekjet për të rritur transparencën në treg dhe te bashkëpunimi mes qeverisë dhe rrjeteve të supermarketeve për vënien në funksion të platformës së re të çmimeve.
“Do ta nis aty ku e la ministrja. Ne nuk jemi të parët që bëjmë një përpjekje në këtë drejtim dhe eksperiencat që kemi analizuar tregojnë që supermarketet kanë gjetur një gjuhë të përbashkët me qeveritë përkatëse në situata të caktuara siç është situata që po kalojmë dhe për produkte të caktuara”, tha Rama.
Kryeministri tha se pas një takimi të parë me përfaqësuesit e sektorit, vetëm një prej operatorëve kishte vijuar me angazhimin e kërkuar, ndërsa u bëri thirrje edhe të tjerëve të marrin pjesë në mënyrë konkrete në fazën pilot të platformës.
“Tani, unë besoj që ju jeni të vetëdijshëm që po fitoni më shumë se sa ç’e mban zakoni i mirë në një bashkësi si e jona, që nuk është as Kina, as Amerika dhe ku ky kapitalizmi agresiv, ka filluar të bëhet shqetësues për të gjithë”, u shpreh Rama.
Ai kërkoi që rrjetet e supermarketeve të konfirmojnë pikat e shitjes që do të përfshihen në fazën e parë pilot dhe të nisin transmetimin e të dhënave për çmimet.
Rama kërkoi gjithashtu që supermarketet të dorëzojnë listat e produkteve sipas kategorive të përcaktuara, duke përfshirë barkodin, markën, gramaturën, njësinë matëse dhe përshkrimet përkatëse, në mënyrë që produktet të jenë të krahasueshme mes rrjeteve të ndryshme.
Sipas tij, platforma duhet të përmbajë edhe listën e plotë të dyqaneve dhe adresave, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të shohin dhe të krahasojnë çmimin e të njëjtit produkt në pika të ndryshme shitjeje.
“Platforma të marrë çmimin real final për konsumatorin me TVSH dhe të dallojë qartë çmimin normal nga promocioni dhe periudhën e vijueshmërisë”, kërkoi Rama.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për një standard të përbashkët lidhur me shpeshtësinë e përditësimit të çmimeve dhe kohën brenda së cilës ndryshimet duhet të pasqyrohen në platformë.
Kryeministri kërkoi që të përcaktohen edhe mekanizmat e verifikimit, përgjegjësia për saktësinë e të dhënave dhe mënyra e korrigjimit të gabimeve, ndërsa platforma, sipas tij, duhet të tregojë edhe nëse një produkt nuk është në stok.
“Unë them që për qytetarin ka ardhur koha që të jetë shumë e thjeshtë të shikojë, të krahasojë dhe të zgjedhë dhe jo të jetë në errësirë dhe të përballet me çfarë i sjell rruga në errësirë”, tha Rama.
Ai nënvizoi se transparenca e çmimeve synon gjithashtu të krijojë një pasqyrë më të qartë të konkurrencës, në mënyrë që operatorët që ofrojnë çmime më konkurruese të mund të përfitojnë nga zgjedhja e konsumatorëve.
Rama theksoi se nisma nuk synon përcaktimin e çmimeve apo kufizimin e fitimit të kompanive.
“Askush nuk iu thotë dhe askush nuk pretendon se do ishte marrëzi, që ne do të përcaktojmë çmimet, askush nuk ju thotë që juve nuk duhet të nxirrni fitime, këto janë gjëra që janë të mirëqena, ky është sistemi që kemi zgjedhur, por ka ardhur një moment tani, që duhet ta shikojmë njëri-tjetrin në sy”, deklaroi kryeministri.
Në përfundim, Rama paralajmëroi se qeveria nuk do të pranojë që kostot të rëndojnë më tej mbi konsumatorët, duke kërkuar nga supermarketet angazhim konkret në procesin e transparencës.
“Askush nuk ju kërkon që juve të ndaloni së fituari se ju për këtë punë keni dalë në treg, që të punoni, të fitoni, por që të ngarkoni njerëzit, këtë ne, nuk do ta lejojmë; këtë unë jua siguroj, do jetë një problem i madh”, u shpreh Rama.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




