Regjistrimet në Fakultetin e Bujqësisë, rritet numri i studentëve në të gjitha nivelet e programeve

Arsim | 1 vit më parë

Krahasuar me një vit më parë, regjistrimet në Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit “Fan Noli” në Korçë kanë shënuar rritje në të gjitha nivelet e programeve të studimit, që nga programet 2-vjeçare profesionale, deri tek Bachelor, Master profesional dhe shkencor.

Më shumë kërkesa janë regjistruar për programin “Teknologji ushqimore”, i cili u ofrua pas ristrukturimit të programit “Agroushqim”, si dhe për programin e “Agrobiznesit”.

“Më shumë janë regjistruar nëprogramin e studimit ‘Teknologji ushqimore’, që u hap për herë të parë këtë vit, sepse u bë ristrukturimi i programit të studimit ‘Agroushqim’. Rritje ka shënuar edhe niveli Bachelor në ‘Agrobiznes’,” tregon Prof. As. Dr. Besnik Skënderasi, dekan i Fakultetit të Bujqësisë.

Interes ka pasur edhe për programet e ciklit të dytë, ku spikat Masteri i ri në Shkencat Bujqësore.

“Është për t’u theksuar programi Master shkencor në ‘Shkencat bujqësore’, e cila erdhi si një nevojë jetike, si një kërkesë nga tregu i punës, sidomos nga ish-studentët tanë që janë punësuar në administratën publike, në institucionet shtetërore, për të rritur nivelin e kualifikimit,” thotë Prof. Skënderasi.

Sipas dekanit, programet që ofron fakulteti lidhen ngushtë me zhvillimin e bujqësisë në rajonin e Korçës, duke iu përshtatur nevojave të fermerëve dhe sipërmarrjeve të agro-përpunimit dhe agrobiznesit. Për këtë arsye, ky fakultet ka ruajtur gjithmonë një qëndrueshmëri të lartë në numrin e regjistrimeve.

Gazetare: Eftjola Fili

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme