Regjistrimet në Universitetin e Gjirokastrës, 250 të rinj zgjedhin mes 22 programeve të studimit në raundin e parë

Aktualitet | 1 vit më parë

250 të rinj i janë bashkuar Universitetit të Gjirokastrës në raundin e parë të regjistrimeve, shifër kjo më e lartë se vitin e kaluar. Sipas rektorit Jaho Cana, degët me prurje më të larta janë degët e infermierisë dhe ekonomikut.

“…degët e infermierisë, të ekonomikut, si dhe programet 2-vjeçare. Kjo kërkesë e maturantëve për të ndjekur studimet në universitetin tonë lidhet gjithmonë me tregun e punës. Kjo lidhet me faktin që degët e infermierisë janë mjaft të kërkuara jo vetëm për tregun vendas, por edhe të jashtëm. Ashtu sikurse edhe degët e ekonomikut. Ajo që bie në sy janë programet dyvjeçare që ofron universiteti, ngelen të kërkuara për shkak se një numër jo i vogël i maturantëve që nuk kapin mesataren mbi 6.5 për t’u bërë pjesë e studimeve universitare, kështu që ata janë të detyruar të ndjekin programet 2-vjeçare”, tha rektori Cana.

Interesi këtë vit është rritur edhe për programet e dyfishta “Menaxhim Dixhital” dhe “Menaxhim i Turizmit të Qëndrueshëm”, degë këto që shkojnë në vitin e tretë të funksionimit.

“Kërkesat para 2 viteve kanë qenë të ulëta, ndërsa këtë vit aplikimet kanë qenë të shumë të larta. Aktualisht në këto dy degë janë regjistruar një numër i konsiderueshëm studentësh, të cilët e bëjnë më aktive. Tashmë maturantët janë bërë të ndërgjegjshëm se çfarë do të thotë programe studimi të përbashkëta me italianët”, theksoi rektori.

Problematike mbeten degët e mësuesisë, të cilat pritet që kuotat minimale t’i plotësojnë në raundet e tjera.

Gazetare: Yllka Ponde

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme