Regjistrimet në Universitetin e Korçës, interes i lartë për Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Shkencave Humane
Regjistrimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës dhe Shkencave Humane në Universitetin “Fan Stiljan Noli” të Korçës kanë qenë të kënaqshme në raundin e parë të aplikimeve.
Interesi më i madh është shënuar për programin “Inxhinieri Informatike”, i cili zhvillohet në bashkëpunim me Universitetin Politeknik të Tiranës, por edhe programet e tjera që ofron ky fakultet kanë tërhequr maturantët.
“Programet që kanë pasur interes të lartë lidhen me Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, si Inxhinieria Informatike, një program studimi i përbashkët me Universitetin Politeknik të Tiranës, Teknologji Informacioni; programet e studimit Infermieri e Përgjithshme, Mami, Administrim Politika Sociale, dhe programet e tjera të mësuesisë, si Biokimia, Matematikë-Fizika,” shpjegon Prof. As. Dr. Rafail Prodani, dekan i Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe Shkencave Humane.
Dekani i fakultetit theksoi se programet e studimit lidhen ngushtë me tregun e punës, duke vënë në dukje se teknologjitë e informacionit dhe komunikimit janë në trend, ndërsa nënvizoi edhe rëndësinë e degëve të mësuesisë, të cilat ofrojnë mundësi të tjera punësimi.
“Edhe për studentët që do të studiojnë Matematikë-Fizikë ose Biologji-Kimi do të kenë mundësi që të punojnë jo vetëm si mësues në këto fusha, por edhe si specialistë në varësi të Masterit shkencor ose profesional që do të ndjekin,” shton dekani Prodani.
Nisur nga interesi i deritanishëm, pritshmëritë janë që numri i studentëve të regjistruar këtë vit të tejkalojë shifrat e një viti më parë, ndërkohë që aplikimet dhe regjistrimet vijojnë ende.
Gazetare: Eftjola Fili
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





