Rekord vizitorësh në destinacionet kulturore dhe historike në vend, Kraja: 1.3 mln vizitorë deri në shtator
Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e vizitorëve të huaj, jo vetëm për plazhet e saj idilike, por edhe për trashëgiminë kulturore të pasur. Deri në shtator të këtij viti, mbi 1.3 milionë turistë kanë vizituar sitet kulturore në vend, duke shënuar një rritje prej 13% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Këto të dhëna u bënë publike nga Benida Kraja, përfaqësuese e Drejtorisë së Politikave për Trashëgiminë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, gjatë një interviste në emisionin “Mirëmëngjes Shqipëri” në RTSH.
“Vjet kemi pasur në total për gjithë vitin gati 1,3 milionë vizitorë në të gjithë sitet tona kulturore dhe këtë vit e kemi arritur këtë shifër që në shtator. Presim që deri në fund të vitit të kemi një rritje të konsiderueshme. Krahasuar me vitin e kaluar, ka një rritje prej 13%”, u shpreh ajo.
Sipas Krajës, Tirana është pika e parë ku ndalojnë shumica e turistëve.
“Tirana është pika e parë ku ndalojnë turistët dhe në sitet kulturore vizitohet Kalaja, Pedonalja që janë shumë të vizituara. Teatri i Kukullave së shpejti do të jetë i hapur për turistët me një hapësirë të dedikuar. Do të ketë një hapësirë dedikuar historikut të teatrit të kukullave. Është Mozaiku i Tiranës, një ndërtesë që ka përfunduar dhe arkeologët bëjnë një mini-tur, kështu që do të jetë një pikë e re për turistët”, bëri me dije Kraja.
Gjatë vitit, vizitorët po zgjedhin gjithnjë e më shumë destinacione kulturore të shpërndara në të gjithë vendin, teksa në këtë periudhë, Kraja tha se Gjirokastra dhe Kruja janë ndër destinacionet më të vizituara.
“Sitet më të vizituara janë Kalaja e Gjirokastrës, Parku arkeologjik i Butrintit, Shkodra dhe Parku Arkeologjik i Apolonisë. Janë edhe kalatë shumë të vizituara, Kalaja e Himarës, Kaninës, Borshit. Pra vizita të kompletuara me disa site, jo vetëm me bregdetin. Në këtë periudhë, më të vizituarat janë Gjirokastra dhe Kruja. Kalaja e Krujës ka një kompleks, ka Muzeun Gjergj Kastriot Skënderbeu dhe ka edhe Muzeun Etnografik. Edhe Kalaja e Shkodrës, ku brenda është edhe muzeu i kalasë dhe duke pasur këto elementë, rritet edhe pjesa e vizitorëve”, u shpreh ajo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





