Restaurohen objektet e kultit në Gjirokastër për të ruajtur vlerat historike e arkitekturore
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër po vijon ndërhyrjet restauruese në objektet e kultit në disa zona të qarkut. Qëllimi i këtyre ndërhyrjeve është mirëmbajtja dhe ruajtja e vlerave historike e arkitekturore që mbartin këto monumente, të cilat janë një pjesë e rëndësishme e trashëgimisë sonë kulturore.
“Së fundmi ka përfunduar një ndërhyrje e pastrimit nga bimësia e manastirit Drianos, një nga më të mëdhatë që ka vendi ynë, por edhe më i larguari nga largësia gjeografike. Gjithashtu po punohet edhe me qendrat historike të qytetit të Gjirokastrës. Në proces është duke u kryer dhe investimi për rehabilitimin dhe restaurimin e manastirit të Spilesë,” tha Ardis Duka, Drejtor i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër.
Këto objekte të kultit nuk janë vetëm vendburime të identitetit historik, por edhe pika me interes të lartë turistik.
“Objektet e kultit kanë pasur një numër të lartë vizitorësh, sidomos ata turistë që janë të apasionuar pas historisë. Vlen të theksohet këtu vizitueshmëria në Labov të Kryqit, por edhe tek kishat apo manastire të ndryshme“, tha Duka.
Sipas të dhënave zyrtare, numri i vizitorëve në këto site të trashëgimisë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, çka e bën edhe më të rëndësishme ndërhyrjen për restaurimin dhe mirëmbajtjen e tyre.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore synon të zgjerojë këto ndërhyrje edhe në zona të tjera të qarkut në vijim, me mbështetjen e institucioneve përkatëse.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





