Rezultatet e TALIS 2024, Kumbaro: Shqipëria, mbi mesataren ndërkombëtare në disa indikatorë të arsimit

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ka prezantuar sot rezultatet e studimit ndërkombëtar TALIS 2024, të realizuar nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), i cili fokusohet te mësuesit dhe drejtuesit e shkollave në mbi 55 vende pjesëmarrëse.
Sipas Ministres Kumbaro, Shqipëria ka shënuar rezultate mbi mesataren e vendeve të OECD-së në disa prej treguesve më të rëndësishëm, si përzgjedhja e profesionit të mësuesit, ndikimi i zhvillimit profesional dhe angazhimi në procesin mësimor.
“TALIS është një instrument unik ndërkombëtar që ofron një panoramë të plotë të kushteve të punës dhe zhvillimit profesional të mësuesve. Rezultatet për Shqipërinë janë një histori suksesi. Shqipëria në disa prej parametrave më të rëndësishëm ka arritur tregues mbi mesataren e 55 vendeve të OECD të përfshira në këtë anketim”, deklaroi Kumbaro.
Ministrja ka renditur dhe disa prej shifrave të mësuesve për të cilët mësuesia dhe mësimdhënia ka qenë zgjedhje e parë.
“Sipas përgjigjeve të 4029 mësuesve që kanë marrë pjesë 282 drejtorëve të shkollave të certifikuara nga TALIS ky studim i kryer në gjysmën e parë të 2024-ës, 98 % e mësuesve shqiptarë deklarohen se mësuesia ka qenë zgjedhja e tyre e parë në karrierë, 85% e mësuesve të rinj pohojnë se e kanë zgjedhur mësuesin si profesion të parë. 58% është mesatarja e OECD për këtë.
96% e mësuesve deklarojnë se trajnimet dhe zhvillomi profesional ka pasur ndikim real në mësimdhënie”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro theksoi se këto rezultate konfirmojnë se investimi në mësues është investimi më i sigurt drejt një arsimi cilësor.
“Ky është një mesazh i qartë: zhvillimi profesional i mësuesve është rruga më e mirë drejt përmirësimit të cilësisë në arsim. Do të vazhdojmë me të njëjtin ritëm“, tha ajo.
Ministria e Arsimit do të vijojë zbatimin e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional, në partneritet me 7 universitete publike në vend. Qëllimi i programit është trajnimi i rreth 22 mijë mësuesve, në mënyrë të vazhdueshme, për t’u përgatitur ndaj sfidave të reja të arsimit modern.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





