Rritje e ndjeshme e konsumit të energjisë në korrik, Balluku: Rrjeti energjetik po e përballon ngarkesën

Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, bëri të ditur të hënën se Shqipëria ka regjistruar një rritje prej 20% të konsumit të energjisë elektrike gjatë gjashtë ditëve të para të korrikut, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Kjo rritje, sipas Ballukut, është pasojë jo vetëm e temperaturave të larta, por edhe e zgjerimit të aktivitetit turistik në vend.
Ministrja shpjegoi se kërkesa mesatare ditore për energji në javën e parë të korrikut 2024 ishte rreth 18,6 milionë kilovatorë, ndërsa këtë vit, në të njëjtën periudhë, konsumi ka arritur në 22,4 milionë kilovatorë.
“Ky është një tregues i qartë i rritjes së konsumit,” theksoi Balluku.
Megjithëse rritja e ngarkesës ka qenë e ndjeshme, ministrja vlerësoi punën e grupeve të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), duke theksuar se ndërprerjet kanë qenë minimale.
“Grupet e OSSH-së kanë reaguar në kohë rekord për të menaxhuar çdo situatë që ka ardhur si pasojë e ngarkesës. Të gjitha avaritë janë sistemuar pa vonesa,” u shpreh Balluku, duke vlerësuar efikasitetin e punonjësve në terren.
Angazhimi i OSHEE për sezonin veror
Balluku siguroi qytetarët se mbi 1.600 punonjës të OSHEE Group janë në terren dhe në krye të detyrës për të garantuar një shërbim të pandërprerë dhe cilësor gjatë gjithë sezonit të verës. Ky angazhim synon të sigurojë që rritja e kërkesës për energji, e nxitur nga turizmi dhe temperaturat e larta, të mos krijojë probleme në furnizimin me energji elektrike për qytetarët dhe bizneset.
“Pavarësisht ngarkesës së shtuar gjatë muajit korrik, me 20% më shumë kërkesë për energji, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, OSHEE po garanton furnizim të pandërprerë me energji elektrike për çdo abonent, ndërkohë skuadrat e terrenit janë në gatishmëri për riparimin e çdo avarie”, shkruan Balluku në rrjetet sociale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.





