Sezon turistik i mbarë në Kukës, 16% më shumë turistë se viti i kaluar vizituan qarkun

Aktualitet | 1 orë më parë

Zonat e mbrojtura të qarkut të Kukësit kanë tërhequr edhe këtë sezon turistë vendas dhe të huaj, të interesuar për natyrën dhe peizazhet e zonës. Drejtori i Administratës së Zonave të Mbrojtura në Kukës thotë se numri i vizitorëve ka qenë i konsiderueshëm.

“Ka pasur një interes të shtuar të vizitorëve gjatë kësaj periudhe në Parkun Kombëtar të Alpeve, i cili ngelet edhe parku më i frekuentuar për vizitorët. mehtiqit që ka brenda dhe konkretisht zonat më të frekuentuara në këtë park janë shtegu Valbon Theth, shtegu Valbonë, Çerem, Dragobi si dhe shtigjet e tjera që ndodhen brenda Valbonës. Interes të shtuar ka pasur edhe parku natyror Koraboetnik me pikat turistike siç është shtegu i ngjyrave, Maja e Gjallicës, Qafa e Zbinecit e të tjerë. Gjatë kësaj periudhe po t’i referohemi janar-shtator 2026 kemi pasur gjithsej rreth 112.000 vizitorë. krahasuar me një vit më parë kemi afërsisht rreth 16% më shumë vizitorë dhe këto më shumë vizitorë të huaj”, tha ai.

Rritja e fluksit të vizitorëve shoqërohet edhe me nevojën për më shumë kujdes ndaj mjedisit. Gjatë sezonit turistik, problematikat kryesore kanë qenë të lidhura me menaxhimin e mbetjeve.

“Gjatë asaj periudhe kemi pasur vetëm dy raste zjarresh. Vazhdon të ngelet hedhja e mbeturinave në natyrë nga disa vizitorë ose grupe të organizuara”, shtoi drejtori.

Administrata e Zonave të Mbrojtura vijon monitorimin e territorit, me synim ruajtjen e biodiversitetit dhe të pasurive natyrore të qarkut, ndërsa rritja e numrit të vizitorëve kërkon edhe ndërgjegjësim më të madh për mbrojtjen e mjedisit.

/RTSH/

 


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme