Shkolla e Magjistraturës, Sadushi: Pavarësia e gjyqtarit nuk është privilegj, por garanci e qytetarit

Aktualitet | 35 minuta më parë

Kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ka vënë theksin te përgjegjësia, pavarësia dhe integriteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve të ardhshëm.

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë hapëse të vitit të ri akademik 2026-2027 të Shkollës së Magjistraturës, Sadushi u drejtua studentëve të rinj duke theksuar se ata do të mbajnë në të ardhmen përgjegjësi të rëndësishme në sistemin e drejtësisë.

Duke iu drejtuar magjistratëve të ardhshëm, kreu i Gjykatës së Lartë u ndal veçanërisht te koncepti i pavarësisë së gjyqtarit.

Sipas Sadushit, detyra e gjyqtarit kërkon që vendimmarrja të mbështetet te drejtësia dhe jo te presionet apo konsideratat që mund ta bëjnë një vendim më të lehtë për t’u marrë.

“Shkolla e magjistraturës formon profesionistë të cilëve nesër do t’i besohen përgjegjësi të rëndësishme. Sa më e rëndësishme të jetë kompetenca që ligji i njeh një funksionari publik, aq më e madhe është përgjegjësia me të cilën ajo ushtrohet. Për ju që do të bëheni gjyqtar, pavarësi nuk është privilegj, por garancia e qytetarët. Ajo dëshmohet kur vendimi më i drejtë nuk është vendimi më i lehtë, më popullor apo më i përshtatshëm.

Për ju që do të bëheni prokurorë, fuqia e akuzës nuk qëndron te ashpërsia e saj, por te drejtësia e saj.  Po aq e rëndësishme është  vetëdija për peshën e pushtetit publik. Ushtrimi i tij nuk duhet  të kthehet në rutinë sepse vendimet që merren prekin të drejta, interesa dhe vetë jetën e njerëzve. Shqipëria ka investuar shumë për reformimin e sistemit të drejtësisë, pro asnjë reformë nuk mund të jetë më e mirë sesa njerëzit që e ushtrojnë atë”, tha Sadushi.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme